Botë

Gjyqtari amerikan: Refuzimi i Hagës për një seancë të veçantë dëgjimore për dënimin mund të ketë pasoja serioze Gjyqt…

14.01.2026. 3 min čitanja

Gjyqtari amerikan: Refuzimi i Hagës për një seancë të veçantë dëgjimore për dënimin mund të ketë pasoja serioze

Gjyqtari amerikan Dean Pineles ka kritikuar ashpër vendimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për të refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës për mbajtjen e një seance të veçantë dëgjimore lidhur me dënimin, në rast se ata shpallen fajtorë.

Në një shkrim autorial të publikuar në Balkan Insight, Pineles vlerëson se ky vendim është një gabim serioz dhe mund të rrezikojë drejtësinë dhe perceptimin e një procesi të drejtë gjyqësor.

“Vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës për të refuzuar një kërkesë nga Hashim Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij për një seancë të veçantë dëgjimore për dënimin – nëse ata shpallen fajtorë – është thellësisht shqetësues dhe mund të ketë pasoja serioze për drejtësinë e gjyqit”, shkruan Pineles.

Ai thekson se gjatë përvojës së tij 22-vjeçare si gjyqtar penal në shtetin e Vermontit, pothuajse në të gjitha rastet e rënda është aplikuar procedura e veçantë e dënimit dhe se shpesh argumentet e paraqitura në këto seanca kanë ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrje.

“Në SHBA, pothuajse gjithmonë ka një procedurë të veçantë dënimi për raste të rënda. Në praktikën time, nuk ishte e pazakontë që të bindesha nga argumentet gojore të paraqitura në një seancë të veçantë dënimi”, shkruan ai.

Pineles vlerëson se ekziston edhe interes i lartë publik për këtë çështje dhe se një seancë e hapur do t’i shërbente transparencës dhe besimit në drejtësinë ndërkombëtare.

“Lejimi i një procedure të veçantë në gjykatë të hapur do të ishte në interesin publik, duke i mundësuar qytetarëve të dëgjojnë në kohë reale argumentet e mbrojtjes. Në një rast kaq të ndjeshëm, është thelbësore që vendimet e gjykatës të jenë të drejta dhe të perceptohen si të tilla”, thekson ai.

Sipas gjyqtarit amerikan, kjo çështje mund të rikthehet sërish përmes një ankese pas vendimit përfundimtar, ndaj ai shtron pyetjen pse të mos shqyrtohet që tani mundësia e një seance të veçantë dëgjimore.

“Edhe pse një seancë e tillë do ta zgjaste procedurën për disa javë, rasti është në pritje që nga nëntori i vitit 2020 dhe gjyqi tashmë ka hyrë në vitin e tretë. Të vetmit që do të preken nga një vonesë janë të pandehurit, por pikërisht ata janë që e kërkojnë këtë seancë”, shkruan Pineles.

Në përfundim, ai i bën thirrje trupit gjykues që ta rishqyrtojë qëndrimin aktual dhe të lejojë një seancë të veçantë dëgjimore për dënimin, në funksion të një procesi sa më të drejtë dhe transparent.

— Dragash Info

Original Facebook objava