Botë

Gjykata Speciale liron nga paraburgimi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendo…

10.02.2026. 3 min čitanja

Gjykata Speciale liron nga paraburgimi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur lirimin me kusht të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 10 shkurt 2026, Smakaj dhe Fazliu janë liruar nga paraburgimi dhe janë kthyer në Kosovë, pas rishikimit të fundit të masës së paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm në kuadër të çështjes gjyqësore të Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e njohur si “Çështja gjyqësore 12”.

Vendimet për lirimin e tyre janë marrë më 3 shkurt 2026, pasi gjykatësi ka konstatuar se rrethanat kishin ndryshuar që nga rishikimi i fundit i paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se vazhdimi i mbajtjes së tyre në paraburgim nuk ishte më i arsyeshëm dhe proporcional.

Edhe pse gjykata ka vlerësuar se ende ekziston një rrezik i kufizuar për pengim të procesit gjyqësor, është konstatuar se e drejta themelore për liri peshon më shumë se këto rreziqe në rrethanat aktuale.

Si faktor shtesë, gjykata ka marrë parasysh faktin se koha e kaluar në paraburgim nga Smakaj dhe Fazliu tejkalon dënimin minimal që do të mund të shqiptohej në rast të shpalljes së fajësisë. Po ashtu, është theksuar se faza e paraqitjes së provave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së tashmë ka përfunduar, duke vlerësuar se çdo tentativë eventuale për pengim të procesit do të ishte e zbulueshme.

Gjykatësi ka konstatuar gjithashtu se nuk ekziston rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar nga të akuzuarit, e cila do të konfiskohej në rast të shkeljes së kushteve të lirimit.

Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në procesin gjyqësor në vazhdim dhe lirimi i tyre me kusht shoqërohet me një sërë masash dhe kufizimesh të përcaktuara nga gjykata.

Versionet e redaktuara publike të vendimeve janë publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Nga DHSK-ja është rikujtuar se, në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe Kushtetutën e Kosovës, paraburgimi para shpalljes së fajësisë lejohet vetëm kur ekzistojnë rreziqe konkrete, të cilat rishikohen çdo dy muaj nga gjykata.

— Dragash Info

Original Facebook objava