Gjykata Kushtetuese shfuqizon 12 ligje të Qeverisë Kurti Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur sot antikushtetues…
Gjykata Kushtetuese shfuqizon 12 ligje të Qeverisë Kurti
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur sot antikushtetuese 12 ligje të miratuara nga shumica parlamentare e Qeverisë Kurti gjatë legjislaturës së kaluar. Ndërkohë, vetëm 3 ligje nga 15 për të cilat ishte ankuar PDK-ja në Gjykatën Kushtetuese, janë lënë në fuqi.
Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Gjykata me 5 vota për dhe 2 kundër ka konstatuar se 12 vendime të Kuvendit nuk janë në përputhshmëri me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës së Kosovës. Ndër ligjet që janë vlerësuar kushtetuese përfshihen ligjet për Bankat, Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Gjykatën Administrative.
Ligjet e shfuqizuara janë:
Ligji për Shërbimet e Pagesave
Ligji kundër dukurive negative në sport
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit
Ligji për provimin e maturës shtetërore
Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm
Ligji për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditi
Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale
Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore
Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore
Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.
Ligji për Lojërat Mesdhetare
Gjykata ka konstatuar se gjatë miratimit të këtyre ligjeve, Kuvendi ka shkelur nenet kushtetuese që rregullojnë formën e Qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, vlerat themelore të rendit kushtetues, ushtrimin e funksionit të të zgjedhurve të popullit, funksionimin e Kuvendit sipas rregullores dhe rolin e komisioneve parlamentare.
Ky aktgjykim ka rënë si një sfidë e rëndësishme për Qeverinë dhe Kuvendin, duke pasqyruar tensionet mes shumicës parlamentare dhe mekanizmave kushtetues të kontrollit.
— Dragash Info