Gjeniu shqiptar 23-vjeçar që krijoi “Air Kosova”, tani prezanton dronin ushtarak të ndërtuar vetë Një histori frymëzu…
Gjeniu shqiptar 23-vjeçar që krijoi “Air Kosova”, tani prezanton dronin ushtarak të ndërtuar vetë
Një histori frymëzuese vjen nga Kamenica, ku një i ri shqiptar po dëshmon se talenti, pasioni dhe puna e palodhur mund të krijojnë arritje të jashtëzakonshme edhe pa mbështetje të madhe institucionale.
Gëzim Morina, 23-vjeçar dhe student i mekatronikës në Prishtinë, ka arritur të ndërtojë avionë dhe dronë ushtarakë funksionalë, të cilët i dizajnon dhe i teston vetë. Ai u bë i njohur për projektin e tij “Air Kosova”, ndërsa së fundmi ka prezantuar edhe një dron ushtarak të ndërtuar kryesisht nga materiale të riciklueshme.
Në një paraqitje për emisionin “ABC e Mëngjesit”, Morina tregoi se ky pasion e shoqëron prej vitesh dhe se shumicën e projekteve i realizon me mjete vetjake, duke punuar me orare të zgjatura, shpesh edhe natë e ditë.
“Unë e kam si hobi. Këta janë aeroplanë me telekomandë që i ndërtoj vetë dhe që mund të përdoren edhe për nevoja ushtarake. I testoj në stadiumin e Kamenicës pasi i përfundoj”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, ndërtimi i avionit më të madh i ka marrë rreth pesë muaj punë intensive, me synimin për të realizuar diçka që nuk ishte bërë më parë në Kosovë. Avionët dhe dronët që ai ka krijuar mund të fluturojnë deri në 4.5 kilometra distancë dhe janë të pajisur me sistem kamerash, ndërsa pa kamera arrijnë një lartësi deri në 800 metra.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë projekt është fakti se pjesa më e madhe e strukturës është ndërtuar nga materiale të riciklueshme, si letra speciale, duke dëshmuar kreativitet dhe qasje inovative ndaj teknologjisë.
“Materialet shumicën mundohem t’i gjej vetë, ndërsa pjesët e tjera i blej me mundësitë e mia”, shprehet ai.
Historia e Gëzim Morinës është një shembull i qartë i potencialit të rinisë kosovare dhe një thirrje për më shumë përkrahje ndaj inovatorëve të rinj, të cilët me pasion dhe dije po e vendosin Kosovën në hartën e teknologjisë moderne.
— Dragash Info




