Botë

Gati 900 vota plus për Arian Tahirin – rinumërimi nxjerr në pah manipulimet zgjedhore Rinumërimi i votave në mbarë ve…

23.01.2026. 2 min čitanja

Gati 900 vota plus për Arian Tahirin – rinumërimi nxjerr në pah manipulimet zgjedhore

Rinumërimi i votave në mbarë vendin po nxjerr në pah parregullsi dhe dyshime për manipulime në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Derisa procesi i verifikimit të vendvotimeve po vazhdon, një pjesë e kandidatëve po humbin vota, ndërsa të tjerëve po u shtohen vota që dyshohet se më herët ishin “zhdukur”.

Kandidati që deri më tani ka përfituar më së shumti nga rinumërimi është Arian Tahiri, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Sipas të dhënave të deritanishme, pas rinumërimit të mbi 50 për qind të vendvotimeve, Tahirit i janë shtuar gjithsej 873 vota.

Në anën tjetër, kandidati i së njëjtës parti, Fetah Paçarizi, është ndër ata që ka humbur një numër të konsiderueshëm votash gjatë këtij procesi.

Skandali i manipulimit të votave ka nxitur reagime edhe brenda vetë PDK-së. Kryetari i këtij subjekti politik, Bedri Hamza, ka qenë i ashpër në qëndrimin e tij ndaj bashkëpartiakëve, duke deklaruar se nëse vërtetohet vjedhja e votave brenda partisë, kandidatët e përfshirë nuk duhet ta pranojnë mandatin e deputetit.

“Ti mundesh me i pasë 50 mijë apo 100 mijë vota, por nëse konstatohet dhe faktohet se votat të janë shtuar në mënyrë të paligjshme dhe ti je pjesë e kësaj, nuk mund të thuash se edhe pa këto vota bëhem deputet”, ka deklaruar Hamza në emisionin ‘Rubikon’ në Klan Kosova.

Procesi i rinumërimit po vazhdon edhe në ditët në vijim, ndërsa pritet që të tjera parregullsi të dalin në pah, duke e bërë këtë një nga proceset më të kontestuara zgjedhore të viteve të fundit.

— Dragash Info

Original Facebook objava