Gashi: PDK fitoi betejën në KQZ për fletëvotimet e mërgatës, vendimi për votat pas afatit është shkelje ligjore Përfa…
Gashi: PDK fitoi betejën në KQZ për fletëvotimet e mërgatës, vendimi për votat pas afatit është shkelje ligjore
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka deklaruar se PDK ka fituar një betejë të rëndësishme brenda KQZ-së për çështjen e fletëvotimeve për mërgatën.
Sipas Gashit, përfaqësuesit e PDK-së kanë kundërshtuar qëndrimin e kolegëve nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kishin bërë thirrje që të mos ndaheshin mjete financiare për dërgimin e fletëvotimeve origjinale për secilin votues në mërgatë.
“Ne e kemi realizuar këtë obligim ligjor, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të VV-së,” ka theksuar Gashi, duke shtuar se PDK ka insistuar në respektimin e ligjit dhe të drejtës së mërgimtarëve për të votuar.
Ai po ashtu ka kritikuar vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve pas afatit ligjor, duke thënë se ky propozim është miratuar me vetëdije të plotë se po bëhej shkelje ligjore.
Sipas tij, ky veprim është arsyetuar me pretendimin se institucionet nuk duhet të keqkuptohen si kundër mërgatës.
“Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor,” ka përfunduar Gashi.
— Dragash Info