Fondacioni Jahjaga lansoi Rrjetin e Grave në Sektorin e Sigurisë në Kosovë Fondacioni Jahjaga ka shënuar sot një hap…
Fondacioni Jahjaga lansoi Rrjetin e Grave në Sektorin e Sigurisë në Kosovë
Fondacioni Jahjaga ka shënuar sot një hap të rëndësishëm në fushën e sigurisë, duke lansuar zyrtarisht Rrjetin e Grave në Sektorin e Sigurisë në Kosovë, një iniciativë që synon fuqizimin e rolit të grave në institucionet e sigurisë dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ky projekt, i mbështetur nga Mbretëria e Holandës, është formalizuar përmes nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit Jahjaga, të përfaqësuar nga Drejtoresha Ekzekutive znj. Arbana Xharra Bexheti, dhe institucioneve kyçe të sigurisë në vend, përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Sipas njoftimit, kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për zbatimin e Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë, në përputhje me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Projekti realizohet me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës përmes Fondit MATRA dhe Human Rights Fund, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Rrjeti i Grave në Sektorin e Sigurisë synon të krijojë një platformë të përbashkët për bashkëpunim profesional, ndarje të përvojave dhe fuqizim të rolit të grave në institucionet e sigurisë, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm të sigurisë në Kosovë.
Me këtë rast, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur mirënjohje të veçantë për Mbretërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për të gjithë partnerët institucionalë për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj iniciative.
“Ndryshimi i vërtetë fillon kur vendosim të mos punojmë më vetëm, por së bashku. Kur punojmë së bashku, forcojmë gratë, institucionet dhe vetë sigurinë e Kosovës”, ka theksuar Jahjaga.
— Dragash Info












