FMN paralajmëron: Errësohet peizazhi makroekonomik në Kosovë
FMN paralajmëron: Errësohet peizazhi makroekonomik në Kosovë
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një nga raportet më të zymta të viteve të fundit për ekonominë e Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për ngadalësimin e rritjes dhe rritjen e vazhdueshme të inflacionit. Sipas raportit të konsultimit vjetor, ekonomia e vendit po përballet njëkohësisht me rënie të aktivitetit ekonomik dhe shtim të presioneve inflacioniste, një situatë që lidhet, ndër të tjera, edhe me një periudhë të gjatë bllokade politike. Rritja ekonomike ka rënë në 3.6% gjatë vitit 2025, nga 4.6% në vitin paraprak, ndërsa për vitin 2026 parashihet të zbresë në vetëm 3.3%. Ky nivel konsiderohet ndër më të ulëtit e dekadës së fundit, duke reflektuar dobësim të eksporteve dhe kërkesës private. Në anën tjetër, inflacioni vazhdon të mbetet sfidë serioze. Sipas Agjencia e Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit arriti në 6.0% në shkurt 2026, me trend rritës nga muajt paraprakë. Banka Qendrore Evropiane mbetet me objektiv inflacioni prej 2%, nivel që sipas FMN-së mund të arrihet vetëm rreth mesit të vitit 2028. Raporti thekson gjithashtu përkeqësimin e sektorit të jashtëm, ku deficiti i llogarisë korrente ka arritur në 9.2% të BPV-së, i nxitur nga rritja e importeve të energjisë dhe ushqimit. FMN paralajmëron se rreziqet për të ardhmen mbeten të larta dhe të orientuara në kahun negativ, duke përfshirë tensionet globale, luhatjet e çmimeve dhe paqartësitë politike në vend. Në përfundim, institucioni ndërkombëtar bën thirrje për masa të menjëhershme: rishikim të politikave fiskale, kontroll më të madh të shpenzimeve, investime më cilësore dhe reforma të thella strukturore në ekonomi. — Dragash Info