Botë

Fetah Rudi akuzon udhëheqjen e LDK-së në Malishevë: “Më bojkotuan dhe më futën thikë pas shpine” Kandidati i Lidhjes…

09.01.2026. 2 min čitanja

Fetah Rudi akuzon udhëheqjen e LDK-së në Malishevë: “Më bojkotuan dhe më futën thikë pas shpine”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fetah Rudi, i cili mori mbi 8 mijë vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit por nuk arriti të siguronte mandatin e deputetit, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj strukturave lokale të partisë në Malishevë.

Rudi thotë se kandidimi i tij kishte për qëllim të parandalonte një koalicion me figura politike “me të kaluar të rëndë”, ndërsa shton se dega e LDK-së në vendlindjen e tij e bojkotoi hapur.

“Ky nuk është rasti i parë që njerëzit në krye të degës së LDK-së në Malishevë më futën një thikë pas shpine. Por, siç thotë populli, marrja nuk e ka mbytur askënd,” ka shkruar Rudi, duke përjashtuar nga kjo kritikë vetëm Gëzim Hazrollajn.

Ai ka kritikuar ashpër udhëheqjen lokale të partisë, duke thënë se “njerëzit e këtij lloji nuk e kanë luftën me partitë e tjera; këta e kanë luftën me njerëzit brenda LDK-së.”

Rudi ka zbuluar gjithashtu prapaskenat e kandidimit të tij, duke theksuar se hyri në garë për të mbrojtur identitetin e LDK-së nga përfshirja në koalicione që ai i konsideronte të papranueshme. Ai ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për besimin dhe vlerësimin e treguar ndaj qëndrimit të tij.

“Ekzistonte një tendencë reale që LDK-ja të shtyhej drejt një koalicioni të papranueshëm, me figura politike të larta, të cilat bartin një të kaluar të rëndë… I jam falënderues kryetarit Abdixhiku për mbështetjen ndaj fjalëve dhe kundërshtimit tim,” ka thënë Rudi.

Pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit, Rudi ka deklaruar se do të mbetet aktiv në jetën politike dhe ka bërë thirrje për një “pastrim të brendshëm” në LDK. Ai u shpreh optimist se partia ka kapacitet për reflektim dhe rikthim te vlerat që e kanë bërë atë një forcë shtetformuese.

— Dragash Info

Original Facebook objava