Eugen Saraçini shpallet President Nderi i Federatës së Hendbollit të Kosovës Në ceremoninë “Laureatët 2025”, të mbajt…
Eugen Saraçini shpallet President Nderi i Federatës së Hendbollit të Kosovës
Në ceremoninë “Laureatët 2025”, të mbajtur të premten, Federata e Hendbollit e Kosovës ka prezantuar një nga vendimet më të rëndësishme të Bordit të saj, duke e nderuar Eugen Saraçinin me titullin më të lartë të federatës – “President Nderi”.
Eugen Saraçini, i cili deri para një viti e ka udhëhequr Federatën e Hendbollit të Kosovës për tri mandate radhazi, sa edhe lejohet me statut, është vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe afirmimin e hendbollit kosovar.
Gjatë udhëheqjes së tij, Federata e Hendbollit e Kosovës u pranua me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) dhe në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF). Po ashtu, hendbolli kosovar shënoi suksese historike me kualifikimin në dy Kampionate Botërore, ndërsa ekipet kombëtare dhe klubet vendore shënuan përparim të dukshëm në arenën ndërkombëtare.
Në vlerësimin e Bordit të FHK-së, kontributi i Saraçinit në zhvillimin, avancimin dhe promovimin e hendbollit në Kosovë konsiderohet i jashtëzakonshëm, andaj u vendos që nga dita e premte ai të mbajë titullin “President Nderi” i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Saraçini aktualisht është edhe anëtar i Bordit të FHK-së.
Në këtë ceremoni solemne, Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka vlerësuar lart angazhimin dhe punën shumëvjeçare të Eugen Saraçinit, ndërsa shpallja zyrtare e tij si President Nderi u bë në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.


