Eliza Hoxha njofton se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK…
Eliza Hoxha njofton se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme që ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit.
Në një reagim publik, Hoxha ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur gjatë angazhimit të saj politik, duke theksuar se kontributi i saj, si në nivel civil ashtu edhe politik, ka synuar përmirësimin e legjislacionit, forcimin e proceseve demokratike dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve.
Ajo ka rikujtuar se gjatë mandatit të saj si deputete, në kuadër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, është vlerësuar me çmimin “Joanat e Kosovës” për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi – 2023, për punën e bërë me komunitetet joshumicë në Kosovë – rom, ashkali dhe egjiptian – veçanërisht në fushën e luftës kundër diskriminimit, arsimit, punësimit, integrimit dhe njohjes kulturore.
Megjithëse në këto zgjedhje ka marrë mbi 13 mijë vota, Hoxha ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e ardhshme.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin edhe në role dhe kapacitete të tjera, ashtu siç ka bërë edhe më herët.
Në fund, Hoxha uroi kolegët e saj nga PDK-ja për një rrugëtim të suksesshëm dhe të frytshëm në legjislaturën e re, duke nënvizuar se angazhimi për një Kosovë më demokratike dhe më të mirë mbetet i pandryshuar.