Ekspozita “Epopeja e UÇK-së” hapet në Ambasadën e Kosovës në Vjenë 🇽🇰
Ekspozita “Epopeja e UÇK-së” hapet në Ambasadën e Kosovës në Vjenë 🇽🇰 Ambasada e Republikës së Kosova në Vjenë organizoi një mbrëmje përkujtimore dhe kulturore me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës. Në kuadër të aktivitetit u hap ekspozita artistike “Epopeja e UÇK-së”, me punime të artistëve Haxhi Fejzullahu, Halim Mejzini dhe Gëzim Emini, të cilët përmes artit sollën simbolikën e qëndresës, sakrificës dhe kujtesës historike të popullit të Kosovës. Programi filloi me intonimin e himneve dhe një minutë heshtje për të nderuar të rënët për liri. Recitime nga nxënësit Etnik Zenelaj (“Çlirimtari”) dhe Adea Zenelaj (“Besarta Jashari”) sollën emocione të veçanta dhe rikthyen kujtesën e sakrificës për liri. Një moment i veçantë ishte edhe prezenca e veteranëve të UÇK-së, të cilët u nderuan për kontributin dhe sakrificën e tyre në luftën për liri dhe pavarësi. Ambasada theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, nderimit të sakrificës së dëshmorëve dhe forcimit të bashkëpunimit brenda komunitetit shqiptar në Austri. Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët: E hënë, 9 mars 2026 – 15:00–20:00 E mërkurë, 11 mars 2026 – 15:00–20:00 E enjte, 12 mars 2026 – 15:00–20:00 Adresa: Prinz Eugen Straße 8–10, 1040 Vjenë Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të vizitojnë ekspozitën dhe të njohin punimet artistike që përmes artit sjellin kujtesën dhe simbolikën e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. — Dragash Info
