Eksperti i komunikacionit Selman Kolgeci paralajmëron rrezik të lartë nga ngricat – apel për kujdes maksimal në trafi…
Eksperti i komunikacionit Selman Kolgeci paralajmëron rrezik të lartë nga ngricat – apel për kujdes maksimal në trafik
Pas reshjeve të fundit dhe rënies së ndjeshme të temperaturave, eksperti i komunikacionit Selman Kolgeci ka ngritur alarmin për rrezik të shtuar në rrugë, duke paralajmëruar krijimin e ngricave dhe shtresave të akullit në shumë segmente rrugore.
Sipas Kolgecit, gjatë natës së sotme pritet që temperaturat të zbresin deri në –9 gradë Celsius, çka rrit ndjeshëm mundësinë e ngricave, veçanërisht në ura, kthesa, pjerrësi dhe në rrugët që nuk pastrohen apo nuk kriposen me kohë.
“Ekziston rrezik i lartë që në shumë segmente rrugore të krijohen shtresa akulli, sidomos në ura, kthesa dhe pjerrësi,” ka theksuar Kolgeci, duke u bërë thirrje të gjithë ngasësve të automjeteve për kujdes maksimal gjatë qarkullimit.
Ai ka rekomanduar uljen e shpejtësisë, rritjen e distancës së sigurisë mes automjeteve, përdorimin e gomave dimërore dhe pajisjeve adekuate, si dhe shmangien e manovrave të papritura dhe frenimeve të vrullshme.
Kolgeci ka theksuar se siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët dhe ka bërë apel për përqendrim maksimal nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.
— Dragash Info