Ekspertët e sigurisë: Raketat hipersonike të Serbisë, kërcënim serioz për Kosovën dhe rajonin
Ekspertët e sigurisë: Raketat hipersonike të Serbisë, kërcënim serioz për Kosovën dhe rajonin Blerja e raketave hipersonike nga Serbia në Kinë ka nxitur reagime dhe debat të gjerë në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit, duke ngritur shqetësime për balancën ushtarake dhe stabilitetin rajonal. Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë me sisteme të avancuara ushtarake mund të ndikojë në ekuilibrin e forcave në rajon dhe të nxisë një garë të re armatimi. Hoxha: Serbia po e luan rolin e viktimës Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka shprehur shqetësim të thellë për këtë zhvillim, duke e cilësuar armatosjen e Serbisë me raketa hipersonike si një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon. Sipas Hoxhës, armatosja e vazhdueshme e Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e qëllimeve të saj historike dhe doktrinës politike që, sipas tij, lidhet me projektin e ashtuquajtur të “Serbisë së Madhe”. “Armatosja e vazhdueshme e Serbisë, duke i njohur qëllimet e saj hegjemoniste dhe apetitet për territore, është shumë shqetësuese për tërë rajonin dhe paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnjën”, ka deklaruar Hoxha për FrontOnline. Ai shtoi se Serbia po përpiqet të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se ndihet e rrezikuar nga bashkëpunimi i sigurisë ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Hoxha theksoi gjithashtu se institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë seriozisht këtë situatë duke rritur kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe duke forcuar bashkëpunimin me aleatët strategjikë, në veçanti me NATO dhe United States. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte garancia më e fortë për sigurinë afatgjatë të vendit. Ibishi: Rrezik për rajonin dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë Edhe eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi ka paralajmëruar se pajisja e Serbisë me raketa hipersonike përbën një zhvillim shqetësues për sigurinë në Ballkan. Sipas tij, Serbia prej vitesh po ndjek një strategji të armatosjes nga disa burime ndërkombëtare, duke përfituar edhe nga politika e saj e neutralitetit ushtarak. “Serbia po armatoset nga Kina, Rusia, Bjellorusia, por edhe nga Perëndimi. Blerja e raketave hipersonike nga Kina tregon një momentum të ri dhe kjo rrezikon rajonin”, ka deklaruar Ibishi. Ai shtoi se këto raketa mund të kenë një rreze veprimi rreth 400 kilometra, çka sipas tij përbën rrezik për disa vende të rajonit dhe edhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë. Sipas Ibishit, ky zhvillim duhet të trajtohet me seriozitet jo vetëm nga vendet e rajonit, por edhe nga faktori ndërkombëtar. — Dragash Info