EKSKLUZIVE | Aron Babaj firmos me AC Milan – lajmi bëhet publik nga Niman Babaj Futbollisti i ri dhe tejet premtues s…
EKSKLUZIVE | Aron Babaj firmos me AC Milan – lajmi bëhet publik nga Niman Babaj
Futbollisti i ri dhe tejet premtues shqiptar, Aron Babaj, ka shënuar një hap të jashtëzakonshëm në karrierën e tij sportive, duke nënshkruar zyrtarisht kontratë trevjeçare me gjigantin italian AC Milan.
Lajmi është bërë publik nga biznesmeni Niman Babaj, një nga mbështetësit kryesorë të karrierës së Aronit, i cili ka ndjekur dhe përkrahur rrugëtimin e futbollistit 16-vjeçar që nga hapat e tij të parë në sportin e futbollit.
Ceremonia e prezantimit është mbajtur në ambientet zyrtare të klubit në Milano, ku Aron Babaj është shfaqur për herë të parë duke firmosur për klubin kuqezi, ndërsa është fotografuar përpara kamerave me një buzëqeshje që reflekton krenari, besim dhe ambicie për të ardhmen.
“Ky është një moment krenarie për gjithë familjen tonë dhe për futbollin shqiptar. Aroni ka treguar përkushtim, disiplinë dhe punë të jashtëzakonshme. Jam i bindur se ai do t’i përfaqësojë me dinjitet vlerat tona në një klub kaq të madh si AC Milan,” – u shpreh Niman Babaj gjatë prezantimit.
Kalimi i Aron Babajt te një nga klubet më prestigjioze të Evropës vjen si rezultat i punës së palodhur dhe talentit të tij të dëshmuar ndër vite. Ai transferohet te AC Milan nga Prishtina e Re, ku ka spikatur me paraqitje të shkëlqyera, si dhe nga paraqitjet e tij me Kombëtarja e Kosovës, duke tërhequr vëmendjen e skautëve ndërkombëtarë. Sipas burimeve, Babaj ka pasur edhe oferta nga disa klube të mëdha evropiane.
Tashmë, talenti i ri pritet të jetë pjesë e strukturave zhvillimore të AC Milanit, klub i njohur botërisht për formimin dhe afirmimin e yjeve të futbollit ndërkombëtar.
Ky sukses nuk përfaqëson vetëm një arritje personale për Aron Babajn, por edhe një burim frymëzimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë majat e futbollit evropian.
— Dragash Info


