Botë

Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit: Rritje në shifra, ulje në jetën reale Ekonomia e Kosovës gjatë dekadës së fun…

11.01.2026. 3 min čitanja

Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit: Rritje në shifra, ulje në jetën reale

Ekonomia e Kosovës gjatë dekadës së fundit ka kaluar nëpër faza të ndryshme zhvillimi, duke përfshirë rritje, ulje, stagnim dhe periudha krize. Megjithëse të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të disa indikatorëve ekonomikë, qytetarët vazhdojnë të përballen me përkeqësim të standardit të jetesës.

Viti 2025 u mbyll me një rritje ekonomike prej 3.9%, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës parashikon që kjo shifër të arrijë në 4.1% gjatë vitit 2026. Sipas BQK-së, kjo rritje mbështetet kryesisht te konsumi privat, rimëkëmbja graduale e eksportit dhe zbutja e inflacionit.

Megjithatë, pas goditjeve të fuqishme të ekonomisë nga pandemia e COVID-19 në vitin 2020 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia në 2022, qytetarët kanë përjetuar shtrenjtim të ndjeshëm të produkteve dhe shërbimeve esenciale. Inflacioni i lartë ka ulur fuqinë blerëse të qytetarëve, duke i detyruar ata të heqin dorë nga disa nevoja bazike, pasi pagat nuk përballojnë shpenzimet e jetesës.

Institucionet e Kosovës shprehen se inflacioni lidhet kryesisht me varësinë e vendit nga importi i produkteve të huaja. Për të zbutur situatën, Qeveria ka rritur pagat në sektorin publik, ndërsa për sektorin privat ka lançuar platformën “Superpuna” në vitin 2023, ku subvencionon pagën e punëtorëve për gjashtë muajt e parë, duke ndihmuar punësimin formal.

Megjithatë, ekspertët ekonomikë vlerësojnë se kjo nuk ka përmirësuar ndjeshëm standardin e jetesës për shkak të inflacionit.

Në vitin 2025, numri i të punësuarve me kontratë formale ka kaluar 400 mijë, megjithatë papunësia mbetet më e lartë te gratë, veçanërisht për shkak të mungesës së çerdheve dhe kushteve të tjera për kujdesin ndaj familjes në zonat rurale.

Një problem i vazhdueshëm i ekonomisë kosovare mbetet varësia nga produktet e importuara. Deficiti tregtar mbetet i lartë, me vlera importi që arrijnë rreth 6 miliardë euro, ndërsa eksportet nuk kalojnë 1 miliard euro.

Investimet e huaja direkte vazhdojnë të jenë një shtytës i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, megjithëse shumica prej tyre vijnë nga diaspora, kryesisht në sektorin e patundshmërive.

Remitencat e diasporës mbeten një mbështetje kyçe për mirëqenien e qytetarëve, duke zvogëluar varfërinë dhe rritur konsumimin, por ekspertët vlerësojnë se për të arritur zhvillim të qëndrueshëm duhet të investohet më shumë në projekte kapitale dhe prodhim vendor.

Sfida kryesore mbetet përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie reale për qytetarët: përmes rritjes së prodhimit vendor, pagave të qëndrueshme, uljes së varësisë nga importi dhe krijimit të një klime më të favorshme për investime afatgjata.

© Dragash Info

Original Facebook objava