Botë

Egzona Hoxhaj: Heshtja ime për manipulimin e votave merr fund – Demokracia është dhunuar Kuvendarja e Partisë Demokra…

24.01.2026. 2 min čitanja

Egzona Hoxhaj: Heshtja ime për manipulimin e votave merr fund – Demokracia është dhunuar

Kuvendarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Egzona Hoxhaj, ka reaguar publikisht lidhur me rastet e dyshuara të manipulimit të votave në qendrat e numërimit, duke theksuar se këto raste nuk janë as të reja dhe as të rastësishme.

Sipas saj, me bindje dhe fakte të sigurta, manipulime të tilla kanë ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve lokale, por ajo ka zgjedhur të heshtë me vetëdije në atë kohë, për të mos e dëmtuar partinë gjatë një momenti vendimtar politik, përfshirë balotazhin dhe zgjedhjet qendrore.

“Kam zgjedhur interesin kolektiv mbi atë personal, duke besuar se demokracia dhe ndershmëria do të mbizotëronin”, ka deklaruar Hoxhaj, duke shtuar se heshtja e saj mbaron këtu.

Ajo e ka cilësuar manipulimin e votës si shkelje flagrante të demokracisë dhe dhunim të drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve, duke theksuar se vota nuk është pronë e askujt për t’u manipuluar apo përdorur për interesa personale.

Hoxhaj ka kërkuar që Prokuroria të trajtojë me seriozitet të plotë edhe komisionerët e zgjedhjeve lokale, pa përjashtime dhe pa selektivitet, duke theksuar se të njëjtët persona kanë qenë të përfshirë edhe në procese të mëhershme zgjedhore.

“Krimet zgjedhore duhet të dalin në dritë njëherë e përgjithmonë, sepse vetëm kështu pastrohet procesi dhe rikthehet besimi i qytetarëve”, ka theksuar ajo, duke shtuar se demokracia nuk mbrohet duke heshtur, por duke folur, denoncuar dhe kërkuar llogari.

Në fund të reagimit të saj, kuvendarja e PDK-së ka bërë thirrje për përgjegjësi të plotë institucionale, duke theksuar se vjedhjet dhe abuzimet me votën nuk duhet të kalojnë pa pasoja.

— Dragash Info

Original Facebook objava