Qendrore

Edhe mjekët dhe profesorët obligohen të deklarojnë pasurinë

16.03.2026. 2 min čitanja

Edhe mjekët dhe profesorët obligohen të deklarojnë pasurinë, deri në 5 vjet burg për mosdeklarim Nga 1 marsi ka nisur procesi i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë në Kosovë për vitin 2025. Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mijëra zyrtarë publikë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre, ndërsa deri më tani këtë obligim e kanë përmbushur mbi 1 mijë zyrtarë, apo rreth 10 për qind e tyre. Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se lista e subjekteve deklaruese është e gjerë dhe përfshin zyrtarë nga nivele të ndryshme të institucioneve publike. “Zyrtarët publik duke filluar nga niveli i lartë, presidenti i vendit, qeveria, ministrat dhe zëvendësministrat, por edhe zyrtarët që merren me certifikim, licencim dhe procedura të tenderimit, si dhe zyrtarët e ATK-së, doganierët dhe policët hetues, janë të obliguar të deklarojnë pasurinë. Nga viti 2024, edhe mjekët e sistemit sekondar dhe terciar si dhe profesorët e universiteteve publike kanë obligim ligjor për deklarim të pasurisë”, ka thënë Buleshkaj. Sipas Agjencisë, mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë i pasurisë mund të sjellë pasoja të rënda ligjore. Për dallimet substanciale mbi 3 mijë euro, rastet dërgohen në Prokurori për hetime të mëtejshme. Gjatë vitit të kaluar, Agjencia ka dërguar në Prokurori 75 raste të dyshuara pas verifikimit të deklarimeve, ndërsa për shumë prej tyre janë ngritur edhe aktakuza. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba për zyrtarët që kanë vonuar deklarimin e pasurisë. Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 përfundon më 31 mars. — Dragash Info