Botë

E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

18.03.2026. 2 min čitanja

E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft Ekspertja shqiptare në industrinë globale të teknologjisë, Drena Kusari, ka njoftuar se ka marrë një rol të ri të rëndësishëm në gjigantin teknologjik Microsoft. Përmes një postimi në rrjetin profesional LinkedIn, ajo bëri të ditur se ka nisur zyrtarisht punën si Corporate Vice President dhe General Manager në këtë kompani. “Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozitë të re si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”, ka shkruar Kusari në njoftimin e saj. Ky pozicion konsiderohet ndër nivelet më të larta drejtuese në strukturën e kompanisë, duke e vendosur Kusarin në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë. Emërimi i saj përbën një tjetër histori suksesi për gratë shqiptare në industrinë globale të teknologjisë, duke dëshmuar potencialin dhe kontributin e tyre në skenën ndërkombëtare. E lindur dhe e rritur në Gjakovë, Kusari u shpërngul në Shtetet e Bashkuara pas luftës në vitin 1999, ku përfundoi vitin e fundit të shkollës së mesme. Puna e saj e parë ishte si interprete dhe punonjëse terreni për Save the Children. Ajo ka diplomuar në Ekonomi dhe Diplomaci në Occidental College, ndërsa më pas ka përfunduar studimet MBA në Harvard Business School, një nga institucionet më prestigjioze në botë. Para se t’i bashkohej Microsoft-it, Kusari ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në kompani të mëdha ndërkombëtare si Goldman Sachs, McKinsey & Company, Lyft dhe Bumble, duke mbajtur role të rëndësishme drejtuese. — Dragash Info