Dyshimet rreth dronit “Skifteri K1”: Videoja e kompanisë kosovare rezulton e prodhuar në Kinë, ekspertët e konsideroj…
Dyshimet rreth dronit “Skifteri K1”: Videoja e kompanisë kosovare rezulton e prodhuar në Kinë, ekspertët e konsiderojnë të pamundur prodhimin lokal
Dy kompani nga Gjilani, të cilat pretendonin të prodhonin dronin “Skifteri K1”, janë vënë nën dyshim për mashtrim, pasi videoja promocionale e publikuar nga ato rezulton se i përket një kompanie kineze.
Videoja, e postuar në Facebook nga Ridvan Aliu, pronar i “Future Minds Academy”, tregon dronin “godit cakun” në mbi 1000 km largësi.
Megjithatë, ekspertët kanë vërtetuar se copëza e videos përputhet me material promocional të prodhuesit kinez “Hinaray”, i cili e kishte publikuar atë tri ditë më parë për dronin H70P.
Ekspertët ushtarakë e konsiderojnë të pamundur që dy kompanitë kosovare, të cilat së bashku numërojnë vetëm tre veta, përfshirë pronarët, të prodhojnë dronë të këtij niveli.
Koloneli i Aviacionit i FASH dhe ish-komandant i UÇK-së, Dilaver Goxhaj, ka deklaruar:
“Kurrën e kurrës. Duhet një kooperim mes uzinave të ndryshme për të prodhuar një avion të vogël pa pilot. Kush do të prodhojë elementet elektrike, cipat e saj e të gjitha pjesët e tjera? Kjo kompani nuk ka kapacitetet për këtë. Ka shumë mundësi që i marrin diku tjetër dhe i shesin si të vetat.”
Ndërsa inxhinieri ushtarak, kolonel në pension Memush Habilaj, ka shtuar se dronët kërkojnë një ekuilibër të saktë mes forcës së ngritjes, gravitetit dhe shtytjes, dhe se prodhimi i tyre pa ekspertizë është i pamundur për përdorim policor ose ushtarak. Ai ka theksuar gjithashtu se besimi i publikut në video është nxitur nga dëshira për një Kosovë më të mirë të armatosur, por dronët mbeten një mjet dytësor dhe praktikisht jo vendimtar në luftë.
Sipas Habilajt, Kosova nuk ka infrastrukturë ligjore për testimin dhe prodhimin e dronëve ushtarakë, ndërsa ngritja e dronëve civilë kërkon leje nga KFOR-i përmes Autoritetit të Aviacionit Civil. Prodhimi pa leje konsiderohet i kundërligjshëm.
Dy pronarët e kompanive kosovare, Ridvan Avdiu (“Future Minds”) dhe Muhamet Ajrullahu (“Miga Skyshield Academy”), nuk kanë kthyer përgjigje për pyetjet e gazetës KOHË që nga e mërkura.
Kjo çështje rrit dyshimet mbi pretendimet e kompanive se droni “Skifter K1” fluturoi për shtatë orë dhe goditi cakun në mbi 1000 km largësi.
— Dragash Info