Dy atletë prizrenas shpallen më të mirët e vitit 2025 në Kosovë Në një ceremoni të mbajtur sonte në Pallati i Rinisë…
Dy atletë prizrenas shpallen më të mirët e vitit 2025 në Kosovë
Në një ceremoni të mbajtur sonte në Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Federata Atletike e Kosovës ka shpallur laureatët e vitit 2025, duke vlerësuar sportistët më të dalluar në nivel vendi.
Dy atletë nga Klubi Atletik “Prizreni” janë shpallur më të mirët në grupmoshat e tyre për këtë vit. Emine Jonuzi është vlerësuar si atletja më e mirë e Kosovës për grupmoshën U20, ndërsa Bardh Telaku është shpallur atleti më i mirë për grupmoshën U18.
Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i tyre, Bajram Duja, i cili ka shprehur krenarinë për suksesin e dy talentëve.
“Jemi veçanërisht krenarë për sukseset e dy talentëve të jashtëzakonshëm: Emine Jonuzi, e cila u shpall atletja më e mirë e Kosovës për grupmoshën U20 – një vlerësim i merituar për përkushtimin, rezultatet dhe potencialin e saj të madh për të ardhmen. Po ashtu, Bardh Telaku, i shpallur atleti më i mirë për grupmoshën U18 – një shembull i punës serioze, disiplinës dhe talentit që premton suksese edhe më të mëdha në vitet në vijim”, ka deklaruar Duja.
Në emër të kryesisë së klubit, kryetarit Gazi Renaku dhe trajnerëve Bajram Duja e Adnan Tahiri, është shprehur mbështetje dhe urim për suksese të reja dhe rekorde në vitet që vijnë.
Ky vlerësim konsiderohet një arritje e rëndësishme për sportin prizrenas dhe një dëshmi e punës së vazhdueshme me talentët e rinj në atletikë.
— Dragash Info