Durmishi: Gashi ishte përjashtuar nga LVV për shkak të deformimit të historisë së luftës së UÇK-së
Durmishi: Gashi ishte përjashtuar nga LVV për shkak të deformimit të historisë së luftës së UÇK-së
Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, ka reaguar lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila së fundmi ka nxitur debat të gjerë publik për shkak të pretendimeve për pasaktësi në të dhëna. Në një reagim publik, Durmishi ka kritikuar ashpër Shkëlzen Gashi, duke rikujtuar një përplasje të mëhershme me të, që sipas tij kishte ndodhur në vitin 2005 brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Durmishit, për shkak të asaj që ai e cilëson si “tendencë për të deformuar historinë dhe luftën e drejtë të UÇK-së”, Gashi ishte përjashtuar nga kjo lëvizje. “Për shkak të kësaj narrative të Shkëlzen Gashit, në vitin 2005, pas një përplasjeje të ashpër, personalisht e kam përzënë nga zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Tendenca e tij për të deformuar historinë tonë dhe luftën e drejtë të UÇK-së ka rezultuar me përjashtimin e tij nga Lëvizja,” ka shkruar Durmishi. Ai më tej ka shtuar se është e papranueshme që, sipas tij, ekspozita dhe vepra të tilla të marrin mbështetje institucionale, duke i cilësuar ato si fyerje të rëndë për sakrificën e dëshmorëve dhe viktimave të luftës. “Deformime të tilla nuk janë thjesht të pavërteta, ato janë fyerje e rëndë për sakrificën tonë dhe vrasje e dytë për të gjithë ata që dhanë jetën për liri dhe çlirim,” ka përfunduar ai. Reagimi i Durmishit vjen në vazhdën e deklaratave dhe kundërshtimeve të shumta nga figura publike dhe përfaqësues politikë lidhur me këtë ekspozitë. — Dragash Info