Dragashi mban takim publik për Strategjinë e Komunikimit 2026–2030
Dragashi mban takim publik për Strategjinë e Komunikimit 2026–2030
Komuna e Dragashit ka zhvilluar sot takimin publik në kuadër të Draftit të Strategjisë për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun për periudhën 2026–2030, pas përmbylljes së fazës së konsultimit publik elektronik dhe me shkrim. Në këtë takim morën pjesë zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e avancimit të komunikimit institucional dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet drejtorive dhe sektorëve brenda administratës komunale. Gjatë diskutimeve u theksua se ndërtimi i një komunikimi të brendshëm të qëndrueshëm dhe funksional është thelbësor për rritjen e efikasitetit institucional. Sipas pjesëmarrësve, një koordinim i mirë brenda institucioneve krijon bazë të fortë për zhvillimin e komunikimit të jashtëm, përfshirë raportet me qytetarët, mediat dhe partnerët e ndryshëm. Ky proces synon ngritjen e standardeve të transparencës dhe përmirësimin e ndërveprimit mes administratës dhe publikut. Pas përfundimit të të gjitha procedurave të konsultimit publik, Drafti i Strategjisë për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun 2026–2030 pritet të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Komunës. — Dragash Info