Botë

Dr.

14.01.2026. 2 min čitanja

Dr. Sadik Memaj jep dorëheqje nga pozitat drejtuese në LDK në Prizren

Pas 25 vitesh angazhim të pandërprerë dhe pune të përkushtuar, Dr. Sadik Memaj ka njoftuar opinionin publik se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të një prej Nëndegëve më të mëdha të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, si dhe nga funksionet e Anëtarit të Kryesisë dhe Anëtarit të Komisionit të Shëndetësisë në këtë degë.

Sipas deklaratës së tij, dorëheqja vjen si reagim i drejtpërdrejtë ndaj mënyrës së papranueshme të vendimmarrjes brenda Degës së LDK-së në Prizren, e cila, sipas tij, është karakterizuar nga vendime të njëanshme dhe mungesë e konsultimit me anëtarësinë dhe strukturat partiake.

“Nëndega që kam udhëhequr ka qenë shtyllë e angazhimit politik dhe organizativ të LDK-së në Prizren. Megjithatë, vendimet e fundit janë marrë pa konsultim me bazën, duke shkelur parimet themelore të demokracisë së brendshme dhe duke minuar besimin e aktivistëve dhe mbështetësve”, thuhet në reagimin e Memajt.

Ai bën të ditur se, në koordinim me anëtarësinë, ka marrë vendim për ndërprerjen e angazhimeve dhe dorëheqjen nga pozitat e përmendura, deri në largimin e strukturës aktuale drejtuese në Degën e LDK-së në Prizren.

Dr. Memaj thekson se kjo dorëheqje nuk paraqet largim nga LDK-ja, por është një akt politik kundërshtimi ndaj centralizimit të vendimmarrjes, mungesës së transparencës dhe, siç shprehet ai, injorimit të zërit të bazës.

“Nuk mund të jem pjesë e një organizimi ku vota, kontributi dhe angazhimi shumëvjeçar trajtohen si të parëndësishme. Ky vendim është marrë në emër të parimit, përgjegjësisë politike dhe respektit ndaj qytetarëve që kanë besuar dhe kanë kontribuar”, përfundon Memaj.

— Dragash Info

Original Facebook objava