Botë

Dr.

12.01.2026. 3 min čitanja

Dr. Fejzë Kabashi largohet nga LDK-ja në Prizren pas 20 vitesh: U shkel fjala e dhënë dhe u anashkalua Hasi

Pas dy dekadash angazhimi politik, Dr. Fejzë Kabashi ka njoftuar largimin e tij nga strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, duke dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që ka ushtruar brenda degës.

Në një reagim publik, Kabashi ka bërë të ditur se përjashtimi i tij nga proceset vendimmarrëse erdhi pas një mesazhi (SMS) të dërguar nga kryetari i degës në grupin e Kryesisë, përmes të cilit u njoftuan emrat e përfaqësuesve të LDK-së në qeverisjen lokale, pa asnjë mundësi diskutimi apo vendimmarrjeje kolektive.

Sipas tij, me këtë veprim është shkelur fjala e dhënë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Degës, ku ishte premtuar se përfaqësuesit për ekzekutivin lokal do të diskutoheshin dhe vendoseshin së bashku në kuadër të kryesisë.

“Duke marrë parasysh shkeljet totale të vendimeve të mëparshme, mosvlerësimin tim personal dhe të rajonit që përfaqësoj – Hasit – jap dorëheqjen time nga të gjitha funksionet që kam bartur në strukturën e degës së LDK-së në Prizren”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka njoftuar se dorëhiqet nga pozitat: kryetar i nëndegës së LDK-së në Kabash të Hasit, anëtar i Kryesisë së Degës në Prizren, kryetar i Komisionit për Shërbime Sociale, si dhe nga të gjitha komisionet e tjera partiake ku kishte qenë i angazhuar, përfshirë edhe Komisionin për Shëndetësi – shëndetin oral në Prishtinë.

Kabashi ka theksuar se dorëheqjen kishte planifikuar ta paraqiste pas zgjedhjeve lokale, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e dobët zgjedhor, por se kishte hequr dorë nga ky hap pas premtimeve të kryetarit të degës se do të vazhdonte të ishte pjesë e proceseve vendimmarrëse në të ardhmen.

“Në fund, kërkoj falje nga bashkëvendësit e mi në nëndegë dhe nga çdo votues i LDK-së në Prizren që mund t’i kem mërzitur gjatë këtyre 20 viteve. Megjithatë, krenohem që kjo ‘mërzi’ ka qenë gjithmonë në funksion të interesit të përgjithshëm”, ka theksuar ai.

Largimi i Dr. Fejzë Kabashit vjen në vazhdën e zhvillimeve dhe pakënaqësive të shtuara brenda Degës së LDK-së në Prizren, duke shtuar zërat kritikë për mënyrën e vendimmarrjes dhe përfaqësimit politik brenda këtij subjekti.

© Dragash Info

Original Facebook objava