“Do ta ngre LDK-në si Feniks” – Florim Zeqa shpall kandidaturën përballë Abdixhikut, akuzon udhëheqjen për kapje të p…
“Do ta ngre LDK-në si Feniks” – Florim Zeqa shpall kandidaturën përballë Abdixhikut, akuzon udhëheqjen për kapje të partisë
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florim Zeqa, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së, duke u bërë kandidati i parë që del hapur në garë kundër kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
Përmes një letre publike drejtuar anëtarësisë dhe opinionit, Zeqa ka adresuar akuza të ashpra ndaj udhëheqjes aktuale të partisë, të cilën e ka cilësuar si të “kapur” dhe të interesuar për ruajtjen e status quo-së. Sipas tij, strukturat aktuale po tentojnë ta pengojnë kandidaturën e tij përmes “barrierave statutare”, me qëllim që LDK-ja të mbetet e tkurrur politikisht.
Zeqa ka deklaruar se gëzon mbështetje të gjerë nga baza e partisë, por jo nga lidershipi qendror, të cilin e akuzon se e mban LDK-në të ngujuar në nivelin e 13 përqindëshit elektoral.
“Kjo është dëshmi se këta e duan vazhdimësinë e kapjes së LDK-së së tkurrur në 13%, e jo ndryshimin që do ta kthente LDK-në në parti të parë”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Zeqa ka folur edhe për, siç i quajti, standarde të dyfishta brenda partisë. Ai përmendi rastin e ish-kryetarit Isa Mustafa dhe nënkryetares aktuale Doarsa Kica-Xhelili, duke pretenduar se në të kaluarën janë bërë shkelje statutare pa pasoja.
“Nëse nuk ishte shkelje zgjedhja e Isa Mustafës pa qenë fare anëtar dhe emërimi i Doarsa Kica-Xhelilit, e kontrabanduar nga Vetëvendosja, pse po vendosen barriera ndaj meje?”, ka pyetur Zeqa.
Kandidati për kryetar të LDK-së ka premtuar rikthimin e filozofisë rugoviane dhe mobilizimin e menjëhershëm të elektoratit që, sipas tij, është zhgënjyer dhe ka kaluar në subjekte të tjera politike.
“Do ta ngre LDK-në si Feniks”, është premtimi kryesor i Florim Zeqës, i cili theksoi se, pavarësisht tentimeve për ta thyer moralisht, mbetet i vendosur ta sfidojë lidershipin aktual në zgjedhjet e brendshme të partisë.
— Dragash Info