Botë

Diskursi i politikës dhe i mediave duhet ndryshuar rrënjësisht!

07.01.2026. 3 min čitanja

Diskursi i politikës dhe i mediave duhet ndryshuar rrënjësisht!

Autoriale nga Selver Islamaj – ish-diplomat, historian, politolog, botues, konsulent dhe sipërmarrës

Mediat sot, në vend që të jenë ndërmjetës të debatit, shpesh janë bërë amplifikues të konfliktit. Jo sepse nuk dinë më mirë, por sepse konflikti shet më shumë dhe fjalitë provokuese klikohen më lehtë. Kjo ka prodhuar panele me zhurmë, sharje dhe përplasje personale, por shumë pak debat real. Zgjidhja është e qartë: më pak spektakël, më shumë përmbajtje. Më pak panele ku flitet për gjithçka e asgjë, dhe më shumë debate tematike – një temë, një debat. Deklaratat duhet të verifikohen në kohë reale, sepse pa ndryshim në media, ndryshimi politik është pothuajse i pamundur.

Por përgjegjësia nuk është vetëm te mediat. Ajo bie drejtpërdrejt edhe mbi liderët politikë. Ata duhet të mësojnë të përballen me politikat e njëri-tjetrit, jo me karakterin personal.

Etiketimet si “tradhtar”, “armik” apo “i keqi absolut” e helmojnë diskursin dhe e kthejnë politikën në luftë morale. Dhe kur politika bëhet luftë morale, kompromisi shihet si tradhti, ndërsa zgjidhjet bëhen të pamundura. Pranimi i gabimeve nuk duhet të perceptohet si dobësi, por si pjekuri politike.

Një tjetër problem i madh është mungesa e zërit profesional. Diskursi personal lulëzon pikërisht aty ku mungojnë ekonomistët, juristët, sociologët dhe akademikët e pavarur. Kur këta zëra heshtin ose anashkalohen, emocionet marrin vendin e argumenteve dhe propaganda zëvendëson analizën. Kur ekspertiza është aktive, narrativa bëhet më racionale dhe debati fiton kuptim.

Por ndoshta sfida më e madhe është vetë kultura politike e votuesit. Kjo është pjesa më e vështirë, por edhe më vendimtare. Votuesi duhet të ndalë së pyeturi “kë urren më shumë ky lider?” dhe të fillojë të pyesë “çfarë fiton Kosova?”. Duhet refuzuar propaganda emocionale dhe duhet penalizuar politikisht konflikti i zbrazët. Sepse politikanët flasin dhe sillen ashtu siç shpërblehen nga votuesit.

Në fund, debati politik duhet të institucionalizohet. Debate programore të detyrueshme gjatë fushatave, transparencë e plotë në vendimmarrje dhe raportim i rregullt i performancës së qeverisë dhe opozitës. Kjo e bën të vështirë ikjen nga substanca drejt personit dhe nga përgjegjësia drejt teatrit politik.

Realiteti është ky: diskursi personal nuk zhduket vetvetiu. Ai zbehet vetëm kur politika kthehet në profesion e jo në arenë egoje, kur mediat ndalojnë së ushqyeri konfliktin dhe kur qytetari pushon së konsumuar dramë dhe fillon të kërkojë zgjidhje.

Sepse në thelb, pa ide mbetet inati, dhe pa vizion mbetet vetëm fytyra e liderit.

— Selver Islamaj

Original Facebook objava