“Diaspora e ngriti Vetëvendosjen” – Besnik Veliu për KoSSev mbi fitoren e Kurtit dhe rënien e LDK-së Gazetari i Gazet…
“Diaspora e ngriti Vetëvendosjen” – Besnik Veliu për KoSSev mbi fitoren e Kurtit dhe rënien e LDK-së
Gazetari i Gazeta Express, Besnik Veliu, ka vlerësuar se diaspora ka pasur rol kyç në fitoren bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, duke ndihmuar jo vetëm në rritjen e numrit të votave, por edhe në sigurimin e një shumice të qëndrueshme në Kuvendin e Kosovës.
Në një koment për portalin serb KoSSev, Veliu thekson se strategjia e Vetëvendosjes për mbajtjen e zgjedhjeve në fund të dhjetorit ndikoi drejtpërdrejt në mobilizimin e votuesve nga diaspora.
Rezultatet zgjedhore
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë përpunuar 2.548 nga gjithsej 2.557 qendra votimi (99,65%). Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 431.442 vota apo 44,30%, rreth 35 mijë më shumë se në zgjedhjet e shkurtit, duke siguruar paraprakisht 56 mandate parlamentare, krahasuar me 48 sa kishte më parë.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me rreth 21% të votave (183.826), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar rënien më të madhe me 13,57% të votave (118.772), rreth pesë përqind më pak se në zgjedhjet e shkurtit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për rezultatin dhe ka paralajmëruar rishikim të brendshëm, pa përjashtuar dorëheqjen.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kaluar pragun zgjedhor me 5,68%, ndërsa Lista Serbe ka fituar 4,78% të votave, mbi 3.000 më shumë se në zgjedhjet e shkurtit.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 44,99%, ndërsa votat nga diaspora pritet të numërohen rreth datës 5 janar.
Roli i diasporës sipas Veliut
Sipas Veliut, Vetëvendosje arriti të rikuperojë rënien e mbështetjes nga zgjedhjet e shkurtit pikërisht falë diasporës.
“Strategjia e LVV-së që 28 dhjetori të jetë ditë zgjedhjesh dhe narrativa se partitë e tjera e kundërshtonin këtë datë për shkak të diasporës, inkurajoi ardhjen masive të bashkatdhetarëve”, ka deklaruar Veliu për KoSSev.
Ai shton se PDK dhe LDK ranë në kurthin politik të Kurtit, duke u përpjekur të justifikojnë qëndrimet e tyre, çka krijoi perceptimin se diaspora voton kryesisht për Vetëvendosjen.
Rënia e LDK-së dhe gabimet strategjike
Veliu vlerëson se një pjesë e elektoratit të LDK-së ka kaluar te Vetëvendosje, ndërsa një pjesë tjetër ka bojkotuar zgjedhjet për shkak të paqartësisë së qëndrimeve politike.
“LDK nuk pranoi bashkëpunim me partitë opozitare dhe nuk mbajti një qëndrim të prerë ndaj LVV-së. Kjo i kushtoi shtrenjtë partisë dhe kryetarit Abdixhiku”, thekson ai.
Duke përmendur përjashtimin e Agim Veliut nga LDK-ja, ai thekson se pas pesë vitesh reformash, partia po shënon rezultate të ngjashme me ato të vitit 2021, çka sipas tij kërkon vetëreflektim serioz dhe marrje përgjegjësie.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare – dallimi
Sipas Veliut, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë mes rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare.
“Në zgjedhjet lokale qytetarët votojnë shpesh për kandidatë me të cilët kanë lidhje personale ose familjare, ndërsa në zgjedhjet parlamentare votojnë sipas klimës së përgjithshme politike”, shpjegon ai.
Ai shton se një nga gabimet kryesore të opozitës ishte përqendrimi i fushatës vetëm te lideri i partisë, duke lënë në hije figura të tjera të njohura dhe kryetarë komunash.
Pozicioni i Kurtit dhe zgjedhja e presidentit
Sipas Veliut, kjo fitore e vendos Vetëvendosjen dhe kryeministrin Albin Kurti në një pozitë të ngjashme me atë pas zgjedhjeve të vitit 2021, ndërsa opozita, veçanërisht LDK-ja, ndodhet në një situatë të vështirë.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, e cila pritet në pranverë, Veliu nuk përjashton mundësinë që Kurti të tentojë ta zgjedhë presidentin pa marrëveshje me opozitën.
“Duke e njohur Kurtin, besoj se ai do të tentojë të zgjedhë presidentin pa konsensus, ndoshta me një kandidat nga familja Jashari, duke e vënë opozitën në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë politike”, përfundon Veliu.
https://kossev.info/kosovo-najnovije-vesti-dijaspora-podigla-samoopredeljenje-veljija-za-kossev-o-ubedljivoj-pobedi-kurtija-i-padu-ldk/?fbclid=IwdGRzaAO_tu1jbGNrA7-252V4dG4DYWVtAjExAHNydGMGYXBwX2lkDDM1MDY4NTUzMTcyOAABHtY3WkM-T3nB2iawwsAJZ1uXM31aayAEMFl05i8nIJDBYygULSYLKy4GBLT9_aem_z_yo2H8uFNUiYnlaRODc9A