Botë

Detaje të reja nga operacioni “Barriera”: Si u arrestua në Tiranë i riu nga Kosova për trafikim armësh Detaje të reja…

08.02.2026. 2 min čitanja

Detaje të reja nga operacioni “Barriera”: Si u arrestua në Tiranë i riu nga Kosova për trafikim armësh

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor i koduar “Barriera”, në kuadër të të cilit u arrestua në Tiranë një shtetas nga Kosova, i dyshuar për trafikim të armëve të zjarrit.

Bëhet fjalë për Dugagjin Berishën, 27 vjeç, arrestimi i të cilit erdhi pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Tiranës, konkretisht nga efektivët e Komisariatit Nr. 4. Sipas informacioneve zyrtare, policia kishte marrë të dhëna se i dyshuari do të udhëtonte drejt Tiranës me qëllim shitjen e armëve të zjarrit në zonën e Freskut.

Berisha është mbajtur nën vëzhgim që nga momenti i hyrjes në territorin e Shqipërisë, përmes Pikës Kufitare të Morinit, ku ai udhëtonte me një automjet tip “Volkswagen”. Hetimet kanë zbuluar se, më herët, policia kishte përdorur agjentë të infiltruar, të cilët kishin blerë prej tij dy pistoleta në zonën e Freskut, me qëllim dokumentimin e aktivitetit kriminal.

Ky veprim, sipas Policisë, është ndërmarrë për të siguruar prova konkrete mbi trafikimin e armëve dhe për të parandaluar shpërndarjen e tyre në tregun e paligjshëm. Nga hetimet paraprake dyshohet se i arrestuari ka ushtruar këtë aktivitet edhe më parë, duke treguar për një veprimtari të vazhdueshme kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa Policia e Tiranës njofton se hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të armëve.

Ky rast, sipas autoriteteve, dëshmon angazhimin e Policisë në luftën kundër trafikimit të armëve, përmes metodave proaktive dhe përdorimit të agjentëve të infiltruar për mbledhjen e provave.

— Dragash Info

Original Facebook objava