Botë

Detaje për ndalimin e djalit të Nait Hasanit – zbulohet pozita që mbante në QNR Art Hasani, djali i kandidatit për de…

23.01.2026. 2 min čitanja

Detaje për ndalimin e djalit të Nait Hasanit – zbulohet pozita që mbante në QNR

Art Hasani, djali i kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nait Hasanit, është ndaluar të premten nga Policia e Kosovës nën dyshimet për falsifikim të votave, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen rreth procesit të numërimit të votave.

Sipas avokatit të tij, Anton Çuperjani, Art Hasani ka mbajtur pozitën e kryesuesit të një tavoline të numërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).

Çuperjani ka deklaruar për Kallxo.com se klienti i tij është i pafajshëm dhe se, në cilësinë e kryesuesit, nuk ka pasur kompetencë të numërojë apo të plotësojë votat për kandidatët e PDK-së.

“Si kryesues i tavolinës së numërimit, ai nuk ka pasur të drejtë të numërojë votat e PDK-së”, ka thënë Çuperjani.

Avokati ka sqaruar se Art Hasani nuk është arrestuar, por është ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi ka shkuar vullnetarisht në stacion policor.

“Ai me vullnet të lirë është paraqitur në stacionin policor dhe më pas është ndaluar. Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të votave”, ka deklaruar avokati.

Sipas tij, në tavolinën e numërimit të cilën e ka kryesuar Art Hasani, kanë qenë të pranishëm edhe pesë anëtarë të tjerë, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike, përfshirë LDK-në, Lëvizjen Vetëvendosje dhe parti të tjera, çka sipas mbrojtjes e bën të pamundur manipulimin individual të votave.

Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria ende nuk ka detaje zyrtare shtesë lidhur me këtë rast.

— Dragash Info

Original Facebook objava