Dëshmitari i Thaçit kritikon Prokurorinë në Hagë: “Pres me padurim përgjigjen” Ish-ambasadori britanik dhe ish-zyrtar…
Dëshmitari i Thaçit kritikon Prokurorinë në Hagë: “Pres me padurim përgjigjen”
Ish-ambasadori britanik dhe ish-zyrtari i lartë i NATO, John Stewart Duncan, i cili dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka reaguar pas përfundimit të paraqitjes së fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes këtë javë.
Përmes një postimi në platformën X, Duncan e ka cilësuar javën si “tejet domethënëse”, duke theksuar se pret me interes përgjigjen e Prokurorisë lidhur me dëshminë e tij.
“Një javë tejet domethënëse në Dhomat e Specializuara. Pres me padurim që të dëgjoj prokurorinë të shpjegojë se si përmbledhja shumë e detajuar që e përmenda disa herë në dëshminë time përfaqëson ‘njohuri të pakta … mbi realitetin në terren’”, ka shkruar Duncan.
Prokuroria, gjatë procesit gjyqësor, ka vënë në pikëpyetje peshën e dëshmive të disa diplomatëve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë, duke argumentuar se ata kishin informacione të kufizuara mbi zhvillimet konkrete në terren gjatë periudhës së luftës.
Duncan kishte dëshmuar në Hagë në shtator të vitit të kaluar, ku ndër të tjera kishte deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk funksiononte me një hierarki të mirëfilltë ushtarake dhe se i ashtuquajturi Shtab i Përgjithshëm kishte më tepër karakter politik sesa komandues operacional.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po vazhdon me paraqitjen e qëndrimeve përfundimtare të palëve.
— Dragash Info