Deklaratë e fortë e kryetarit të Dragashit Bexhet Xheladini Një reagim publik me tone të ashpra nga Bexhet Xheladini,…
Deklaratë e fortë e kryetarit të Dragashit Bexhet Xheladini
Një reagim publik me tone të ashpra nga Bexhet Xheladini, kryetar i Komunës së Dragashit dhe njëherësh kryetar i Degës së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Dragash, ka nxitur debat dhe ka hapur pikëpyetje mbi zhvillimet e brendshme në këtë subjekt politik në nivel lokal.
Në postimin e tij, Xheladini flet hapur për, siç i quan ai, individë apo grupe që e shfrytëzojnë LDK-në për interesa personale, që sipas tij, ndërtojnë kurthe, tradhtojnë parimet e partisë dhe përgatisin skenarë kundër saj. Mesazhi i tij vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe shihet si sinjal se brenda LDK-së në Dragash po ndodhin lëvizje dhe përplasje të brendshme.
Deklarata ka zgjuar interes të madh në opinionin lokal, ndërsa deri në këto momente nuk ka pasur reagime zyrtare nga struktura të tjera të LDK-së në Dragash apo nga niveli qendror i partisë. Analistë lokalë e shohin këtë dalje publike si një paralajmërim politik, dhe si shenjë të një tensioni të brendshëm që mund të ndikojë në funksionimin e degës së LDK-së dhe qeverisjen lokale.
Postimi i plotë i kryetarit Bexhet Xheladini:
“Ata që e shfrytëzojnë LDK-në për përfitime personale, që ndreqin kurthe, që e tradhtojnë dhe që përgatisin skenarë kundër saj, nga fuqia e të madhit Zot, herët a vonë, do ta paguajnë, personalisht, kolektivisht apo edhe familjarisht.
Ky është një rregull i pashkruar, po aq i sigurt sa fakti që një plus një bëjnë dy.”
Mbetet të shihet se si do të reflektohet kjo deklaratë në zhvillimet e ardhshme politike në Dragash dhe nëse do të ketë sqarime apo reagime shtesë nga akterë të tjerë brenda LDK-së.
— Dragash Info