Dardan Vuniqi zgjidhet zëvendëskryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Dardan Vuniqi zgjidhet zëvendëskryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës Dardan Vuniqi është zgjedhur zëvendëskryesues i Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes votimit të hapur, ku ka marrë 6 vota nga anëtarët e KPK-së. Mandati i tij fillon më 13 mars 2026 dhe do të zgjasë deri në përfundim të mandatit të tij si anëtar i këtij institucioni. Para zgjedhjes, Vuniqi prezantoi platformën dhe objektivat e tij, duke theksuar se angazhimi i tij do të fokusohet në rritjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial dhe ushtrimin e kompetencave në përputhje me ligjin. Ai premtoi mbikëqyrje më të fuqishme të punës së prokurorive, avancime të bazuara në transparencë, llogaridhënie dhe standarde ligjore, si dhe forcimin e mekanizmave të raportimit tremujor nga kryeprokurorët. Sipas tij, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe publikimit të raporteve periodike mbi punën e prokurorëve, hartimit të analizave për rritjen e performancës së sistemit prokurorial dhe rekrutimit të stafit e prokurorëve në përputhje me ndryshimet e rregulloreve. Vuniqi gjithashtu theksoi rëndësinë e planifikimit të duhur të resurseve njerëzore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të siguruar një funksionim më efikas dhe transparent të sistemit prokurorial në Kosovë. — Dragash Info