Botë

“Dallavere” me votat e kandidatëve: Kërkohet rinumërim i plotë dhe përgjegjësi penale për manipuluesit Zbulimi i parr…

17.01.2026. 3 min čitanja

“Dallavere” me votat e kandidatëve: Kërkohet rinumërim i plotë dhe përgjegjësi penale për manipuluesit

Zbulimi i parregullsive dhe i ashtuquajtura “dallavere” me votat e kandidatëve gjatë procesit të rinumërimit të pjesshëm të votave ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues të shoqërisë civile, analistë politikë dhe kandidatë për deputet.

Ndryshimet e evidentuara në numrin e votave për shumë kandidatë kanë shtuar kërkesat për një rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, si dhe për nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë prekur vullnetin e qytetarëve.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka konfirmuar dyshimet e mëhershme për keqpërdorime në qendrat komunale të numërimit. Ai ka theksuar se dallimet e konstatuara në vota janë substanciale dhe shqetësuese.

“Këto janë dallime substanciale, sidomos kur dihet se rinumërimi po zhvillohet vetëm për rreth një të tretën e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet se votat e kandidatëve janë ndryshuar kryesisht në qendrat komunale prej nga ata vijnë. Nëse ky trend vazhdon proporcionalisht, ndikimi mund të jetë i madh edhe në renditjen e kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur dhe duhet të ndodhë sa më parë, para se të preken afatet kushtetuese”, ka shkruar Cakolli.

Edhe analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar, duke thënë se procesi i numërimit po nxjerr në pah probleme serioze në funksionimin e partive politike në Kosovë.

“Rinumërimi i disa vendvotimeve po e nxjerr në dritë arsyen pse partitë politike në Kosovë nuk janë demokratike. Në vend që të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, ato angazhohen me metoda vulgare për ta vjedhur atë, madje edhe përmes komisionerëve të tyre”, ka shkruar Kasolli.

Ndërkohë, analisti Shkëlzen Maliqi ka kërkuar masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve, duke kërkuar shkarkim dhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë manipuluar votat e kandidatëve për deputet.

Kërkesë për përgjegjësi ka bërë edhe kandidati i AAK-së për deputet, Zafir Berisha, i cili ka theksuar se vetëm ndëshkimi ligjor mund ta zhdukë këtë fenomen.

“Rinumërimi i votave po nxjerr në shesh disa hajdutë të vegjël votash, pas të cilëve fshihen hajdutët me kollare. Përveç nxjerrjes së përgjegjësve para drejtësisë, po bëhet gjithnjë e më e qartë edhe nevoja për ndryshimin e ligjit zgjedhor, ku një votues të ketë të drejtë të votojë vetëm një kandidat, e jo dhjetë, përndryshe dallaveret do të vazhdojnë”, ka shkruar Berisha.

Reagimet e shumta po rrisin presionin mbi institucionet përgjegjëse që të veprojnë me transparencë, të garantojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe të mbrojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.

— Dragash Info

Original Facebook objava