Botë

Çmimet e naftës shënojnë rënie pas deklaratave të Trump për furnizime nga Venezuela Çmimet e naftës në tregjet ndërko…

07.01.2026. 2 min čitanja

Çmimet e naftës shënojnë rënie pas deklaratave të Trump për furnizime nga Venezuela

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë vijuar rënien edhe sot, të ndikuara nga pritjet për rritje të ofertës globale, pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me furnizime të mundshme të naftës nga Venezuela drejt Shteteve të Bashkuara.

Trump deklaroi përmes platformës Truth Social se autoritetet e përkohshme në Venezuelë pritet t’i dorëzojnë SHBA-së nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të papërpunuar, e cila do të shitej me çmime tregu. Sipas tij, të ardhurat nga kjo shitje do të administroheshin për të garantuar përdorimin e tyre në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara.

Një fuçi nafte përmban 159 litra, ndërsa sasia e përmendur është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës në Venezuelë, vend për të cilin nafta përbën burimin kryesor të të ardhurave dhe të valutës së huaj.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, nafta Brent e Detit të Veriut, për dorëzim në muajin mars, shënoi rënie prej rreth 1 për qind, duke u tregtuar në nivelin e 60,14 dollarëve për fuçi.

Ndërkohë, nafta amerikane WTI, për dorëzim në muajin shkurt, u ul me rreth 1,3 për qind, në 56,40 dollarë për fuçi.

Analistët vlerësojnë se deklaratat e Trump kanë shtuar pritjet për rritje të furnizimit në tregjet ndërkombëtare, duke ushtruar presion mbi çmimet e naftës, të cilat edhe më herët ishin në rënie për shkak të balancës mes ofertës dhe kërkesës globale.

Ende mbetet e paqartë periudha kohore gjatë së cilës do të realizohej dorëzimi i kësaj sasie nafte. Ndërkohë, udhëheqja e re në Karakas nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të presidentit amerikan.

— Dragash Info

Original Facebook objava