Botë

Cakolli tregon ndarjen e mandateve: Votat në ambasada nuk ndryshojnë asgjë, ato me postë me ndikim të kufizuar Eugen…

03.01.2026. 3 min čitanja

Cakolli tregon ndarjen e mandateve: Votat në ambasada nuk ndryshojnë asgjë, ato me postë me ndikim të kufizuar

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se votat e hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, ndonëse në shumicë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk pritet të kenë asnjë ndikim në ndarjen e mandateve në Kuvend.

Sipas tij, bazuar në rezultatet e deritanishme dhe trendet zgjedhore, shpërndarja e ulëseve tashmë është pothuajse e qartë, ndërsa ndryshime eventuale mund të vijnë vetëm nga votat me postë, dhe edhe ato në mënyrë shumë të kufizuar.

“Votat nga përfaqësitë diplomatike – pavarësisht përqindjes së lartë në favor të LVV-së – nuk prodhojnë asnjë ndryshim në numrin e mandateve. Njësoj, as votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin trendin e votimit në vend, nuk kanë potencial real për të ndryshuar shpërndarjen e ulëseve”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka bërë të ditur se tashmë janë verifikuar dhe procesuar të gjitha vendvotimet brenda vendit dhe, sipas rezultateve aktuale, ndarja e mandateve është:

LVV – 56 mandate (të paktën 17 gra),
PDK – 23 mandate (të paktën 7 gra),
LDK – 15 mandate (të paktën 5 gra),
AAK – 6 mandate (të paktën 2 gra).

Sipas Cakollit, votat me postë mbesin i vetmi faktor që teorikisht mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar, por edhe në këtë rast, ndikimi maksimal do të ishte vetëm një deri në dy mandate.

“Edhe sikur të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare të arrijnë në kohë dhe të jenë valide – gjë që historikisht nuk ka ndodhur – LVV-së do t’i duhej të fitonte rreth 80–85 për qind të tyre për ta siguruar mandatin e 57-të. Për mandatin e 58-të, do të nevojitej rreth 90 për qind e votave me postë”, ka theksuar ai.

Cakolli ka shtuar se lëvizjet e mundshme mes mandateve të PDK-së dhe LDK-së varen nga performanca e tyre në votimin me postë, me logjikën që partia me koeficientin më të ulët rrezikon humbjen e një mandati.

Duke u bazuar në trendet e deritanishme zgjedhore, përfshirë edhe ciklet e kaluara, Cakolli vlerëson se skenari më realist në fund të procesit zgjedhor është ky:

LVV – 57 ulëse
PDK – 22 ulëse
LDK – 15 ulëse
AAK – 6 ulëse

Original Facebook objava