Brezne: Banorët paralajmërojnë rrezikun nga rrugët e bllokuara nga bora dhe akulli Dy ditët e fundit, rrugët që lidhi…
Brezne: Banorët paralajmërojnë rrezikun nga rrugët e bllokuara nga bora dhe akulli
Dy ditët e fundit, rrugët që lidhin fshatin Brezne me zonat përreth janë bërë pothuajse të paqarkullueshme për automjete dhe këmbësorë. Banorët e fshatit e atribojnë këtë situatë mosmirëmbajtjes së rrugëve dhe mungesës së ndërhyrjes së shpejtë nga institucionet komunale.
“Trashësia e akullit na pamundëson ecjen në këmbë, e sa për automjete mos të flasim,” shprehen banorët. Sipas tyre, një ndërhyrje minimale, si përdorimi i një borëpastruesi dhe shpërndarja e kripës, do të kishte një ndikim të madh dhe do të parandalonte aksidente të mundshme.
Banorët kërkojnë nga Kryesia e Fshatit që të reagojë menjëherë dhe të adresojë këtë çështje në Kuvendin Komunal të Dragashit, duke kujtuar se vota masovike e tyre përforcoi qeverisjen lokale.
“Një borëpasturese duke shpërndarë kripë do të kushtonte shumë pak për komunën, por do të sillte një lehtësim të madh për ne,” theksojnë qytetarët. Ata shtojnë se tashmë janë regjistruar disa aksidente të lehta, të cilat mund të ishin shmangur me pak vëmendje.
Ky shqetësim vjen si apel drejtuar institucioneve që të marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, veçanërisht në periudha të acarit dhe borës.
— Dragash Info