BQK paralajmëron qytetarët për fushatë mashtruese përmes mesazheve SMS Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) k…
BQK paralajmëron qytetarët për fushatë mashtruese përmes mesazheve SMS
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj një fushate mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten rrejshëm si njoftime nga bankat komerciale, me qëllim mashtrimin dhe vjedhjen e të dhënave financiare të qytetarëve.
Sipas BQK-së, këto mesazhe shpesh përmbajnë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim, duke tentuar t’i mashtrojnë qytetarët që të vendosin të dhëna bankare ose të kryejnë pagesa përmes platformave jozyrtare.
BQK këshillon qytetarët që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e tyre online.
Këshillat e BQK-së për mbrojtje nga mashtrimet:
Ruani me kujdes të dhënat e kartelës suaj dhe mos i ndani kurrë ato përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar;
Mos hapni lidhje të dyshimta dhe mos klikoni në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm;
Mos kryeni pagesa dhe mos vendosni të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS;
Përdorni vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave dhe shmangni regjistrimin e të dhënave të kartelës në platforma të pasigurta;
Aktivizoni njoftimet me SMS ose aplikacion për çdo transaksion dhe kontrolloni rregullisht historinë e pagesave dhe transferave;
Raportoni menjëherë çdo mesazh të dyshimtë te banka ose institucioni juaj financiar.
BQK u bën thirrje qytetarëve që të informohen vazhdimisht dhe të ndihmojnë në parandalimin e mashtrimeve duke i raportuar rastet e dyshimta. Më shumë këshilla dhe materiale edukative mund të gjenden në faqen zyrtare të BQK-së.
— Dragash Info