“Borxhi i keq” i KESCO-s u ngarkua në tarifa paushall – dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve Për më…
“Borxhi i keq” i KESCO-s u ngarkua në tarifa paushall – dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve
Për më shumë se një dekadë, konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë dyshohet se janë dëmtuar financiarisht nga një praktikë e gabuar rregullatore, përmes përfshirjes së ashtuquajturit “borxh i keq” të KESCO-s në tarifat e rrymës.
Sipas dy raporteve zyrtare të auditimit – një nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe një tjetër nga Kuvendi i Kosovës – Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka aplikuar për vite me radhë një metodë “paushall” për llogaritjen e borxhit të keq, duke e fiksuar atë në nivelin 4% të të hyrave vjetore të kompanisë, pa analizë të detajuar dhe pa klasifikim të vjetërsisë së borxheve.
Auditimet kanë nxjerrë në pah një mospërputhje serioze: edhe në vitet kur KESCO/KEDS kishte nivel inkasimi rreth 99–100%, konsumatorëve u ngarkoheshin miliona euro çdo vit në emër të borxhit të keq. Vetëm për periudhën 2013–2025, në tarifa janë përfshirë mbi 130 milionë euro për këtë kategori.
Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar konstaton se, bazuar në pasqyrat financiare të audituara, niveli real i llogarive të arkëtueshme të KEDS-it ka qenë dukshëm më i ulët – nga 1.7% deri në rreth 4% – duke e bërë të pajustifikueshëm aplikimin e një norme fikse prej 4%. Sipas auditorëve, një nivel i arsyeshëm i borxhit të keq nuk do të duhej të tejkalonte 1%, nëse do të bëhej analizë reale e strukturës së borxheve.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar gjithashtu se ZRrE nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për vjetërsinë e borxheve, nuk ka aplikuar kritere të qarta për klasifikimin e tyre dhe nuk ka zhvilluar një auditim të pavarur për këtë kategori kostoje. Kjo, sipas auditorëve, vë në dyshim saktësinë dhe drejtësinë e kalkulimit të tarifave të energjisë.
Një tjetër shqetësim i ngritur është fakti se përfshirja e borxhit të keq në tarifa mund të krijojë rrezik moral, duke ulur motivimin e kompanisë për të ndjekur me seriozitet procedurat ligjore dhe përmbarimore për arkëtimin e borxheve nga konsumatorët që nuk paguajnë.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë theksuar se KESCO ka në dispozicion mjete ligjore për arkëtimin e detyrimeve, përfshirë Ligjin për Marrëdhëniet Detyrimore dhe Ligjin për Procedurën Përmbarimore, dhe se barra financiare nuk duhet të bartet automatikisht te qytetarët që paguajnë rregullisht faturat.
ZRrE ka deklaruar se metodologjia e saj bazohet në analizat historike të inkasimit dhe në pasqyrat financiare të audituara nga vetë operatorët, duke pranuar se nuk ekziston një proces i veçantë auditimi i pavarur për “borxhin e keq”.
Gjetjet e dy raporteve ngrenë dyshime serioze për dëme të mëdha financiare ndaj konsumatorëve dhe hapin debat për nevojën e rishikimit të metodologjisë tarifore, transparencës rregullatore dhe përgjegjësisë institucionale në sektorin e energjisë.
— Dragash Info