BESNIK BERISHA PRANON SE I ËSHTË KËRKUAR RIKTHIMI NË LDK, U DËRGON MESAZH TË DREJTPËRDREJTË DREJTUESVE AKTUALË Avokat…
BESNIK BERISHA PRANON SE I ËSHTË KËRKUAR RIKTHIMI NË LDK, U DËRGON MESAZH TË DREJTPËRDREJTË DREJTUESVE AKTUALË
Avokati Besnik Berisha, i përfolur si kandidat i mundshëm për kryetar të ri të Lidhja Demokratike e Kosovës, ka pranuar publikisht se i është kërkuar rikthimi në parti pas disa vitesh jashtë strukturave të saj, ndërsa ka dërguar një mesazh kritik dhe të drejtpërdrejtë për udhëheqjen aktuale.
Berisha, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka deklaruar se partia ndodhet në një situatë delikate, ku më së shumti i nevojitet “reflektimi, përgjegjësia dhe orientimi i qartë”, e jo justifikimet pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Ai ka bërë të ditur se ditëve të fundit ka marrë dhjetëra e qindra mesazhe me kërkesa për t’u angazhuar në mbrojtje të partisë përmes, siç tha ai, shfaqjes së interesave personale dhe rreshtimeve të ngushta politike, por ka refuzuar një qasje të tillë.
“Këto ditë kam marrë dhjetëra e qindra mesazhe dhe kërkesa që të angazhohem në mbrojtje të partisë përmes shfaqjes së apetiteve personale dhe rreshtimeve të ngushta. Kam refuzuar ta bëj një veprim të tillë, sepse besoj se LDK-së sot i duhet e vërteta dhe qartësia, jo mbrojtja e interesave individuale,” ka shkruar Berisha.
Sipas tij, LDK-së nuk i mungon mbrojtja publike, por sqarimi i sinqertë dhe ballafaqimi i hapur me të vërtetën, duke theksuar se elektorati nuk kërkon arsyetime, por drejtim të qartë dhe komunikim të ndershëm.
Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa ka theksuar se anëtarësia e partisë duhet të kërkojë përgjegjësi nga lidershipi aktual.
“Nuk kërkohet mbrojtje e individëve, por përgjegjësi ndaj atyre që besuan. LDK nuk mbahet me rreth të privilegjuarish, por me besimin e votuesve,” ka deklaruar Berisha.
Emri i Besnik Berishës vazhdon të përmendet në media si një nga opsionet e mundshme për drejtimin e LDK-së në periudhën paszgjedhore, megjithëse ai nuk ka konfirmuar ndonjë ambicie zyrtare për këtë pozitë.
— Dragash Info