Botë

Berjani paralajmëron: “Kosova mund të mbetet pa naftë”

10.03.2026. 2 min čitanja

Berjani paralajmëron për rrezik në furnizimin me derivate: “Kosova mund të mbetet pa naftë” Kryetari i Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar për vështirësi në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë, duke theksuar se vendi rrezikon të mbetet pa naftë nëse situata vazhdon me këto kushte në treg. Sipas Berjanit, një pjesë e madhe e furnizimit me derivate në Kosovë realizohet përmes kompanive nga Shqipëria, ndërsa çmimet e importit kanë shënuar rritje të ndjeshme. Ai ka deklaruar se kompanitë janë duke blerë naftë me çmime më të larta vetëm për të siguruar që tregu në Kosovë të mos mbetet pa furnizim. “Sot me pakicë e kam blerë naftën me 1.53 euro, vetëm që të mos mbetet Kosova pa naftë. Jemi në një fazë ku nuk po e shikojmë çmimin. Nëse shkojmë në Shqipëri për ta marrë një litër naftë, importi na kushton rreth 1.60 euro për litër”, ka deklaruar Berjani për Indeksonline. Ai gjithashtu ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të institucioneve për vendosjen e çmimit tavan për karburantet, duke theksuar se kompanitë duhet të kenë më shumë hapësirë për të manovruar në treg. Sipas tij, aktualisht çmimet në treg janë rreth 1.33 euro për litër, ndërsa në disa raste kompanitë po furnizohen me çmime edhe më të larta. Nga ana tjetër, sipas informacioneve të publikuara nga Indeksonline, çmimi i importit të naftës aktualisht sillet nga 80 deri në 95 cent për litër pa përfshirë taksat, ndërsa pas përfshirjes së taksave dhe obligimeve fiskale çmimi rritet ndjeshëm në tregun vendor. Berjani ka theksuar se qëllimi i kompanive është që Kosova të mos mbetet pa furnizim me derivate, pavarësisht lëvizjeve të çmimeve në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. — Dragash Info