Botë

Berishaj e pranon në Prokurori se është paguar “për këshillime” nga GEN-i i Beogradit Ambasadori i Kosovës në Kroaci,…

24.01.2026. 4 min čitanja

Berishaj e pranon në Prokurori se është paguar “për këshillime” nga GEN-i i Beogradit

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka pranuar gjatë intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës në vitin 2025 se është paguar “për shërbime këshilluese” nga kompania GEN, përmes degës së saj në Beograd.

Sipas dokumentit të publikuar nga VOX Kosova, Berishaj ka konfirmuar se ka pasur qarkullim financiar të lartë përmes kompanive të tij, por ka deklaruar se të gjitha mjetet financiare janë deklaruar dhe trajtuar nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Në deklaratën e dhënë para Prokurorisë, Berishaj ka thënë se para emërimit të tij si ambasador i Republikës së Kosovës në Zagreb, ka qenë i angazhuar në veprimtari biznesore të natyrës këshilluese përmes disa subjekteve afariste, përfshirë MB Consulting SHPK në Kosovë, MB Consulting d.o.o. në Mal të Zi dhe Myloja LLC. Ai ka deklaruar se nga këto kompani është tërhequr para ose pas emërimit në detyrën diplomatike.

Tutje, Berishaj ka pohuar se që nga data 24 shtator 2021 nuk ka qenë pronar apo i autorizuar në asnjë biznes dhe se veprimtaria e tij ka qenë ekskluzivisht konsulencë dhe këshillim politik në fushën e energjisë në rajonin e Ballkanit, duke mohuar përfshirjen në shitblerje apo ndërmjetësim të energjisë elektrike.

Sipas tij, shërbimet këshilluese janë ofruar për GEN Slovenia, ndërsa pagesat janë realizuar përmes GEN d.o.o. Beograd, në bazë të autorizimeve të brendshme të këtij grupi. Ai ka deklaruar se të gjitha pagesat janë kryer përmes bankave dhe janë shoqëruar me kontrata dhe fatura përkatëse.

Berishaj ka pranuar se përmes MB Consulting SHPK ka pasur qarkullim të lartë financiar, por ka theksuar se të gjitha mjetet janë deklaruar, janë revizionuar nga ATK-ja dhe se çdo obligim i konstatuar është paguar, duke nënvizuar se bëhet fjalë për borxh tatimor e jo shmangie nga tatimi.

Në deklaratën e tij, ai ka mohuar çdo lidhje personale apo biznesore me individë apo institucione në Kosovë që merren me tregtinë e energjisë, ka cilësuar raportimet mediatike ndaj tij si të pabazuara dhe ka bërë të ditur se ka iniciuar padi për shpifje ndaj një gazetari në Slloveni.

Ndërkohë, Berishaj kishte tentuar ta minimizojë rastin e tij në deklarime publike për media në Kosovë, duke thënë se “çështja në Slloveni është mbyllur” dhe duke i quajtur raportimet “përralla”.

Në lidhje me këtë rast, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar më herët se i beson ambasadorit Martin Berishaj.

Kujtojmë se në një hulumtim të publikuar nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të vitit 2022, është dokumentuar se Berishaj ka pranuar rreth 2 milionë euro në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi gjatë viteve 2016–2020. Ndërsa sipas Planet TV në Slloveni, Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020 ka tërhequr rreth 600 mijë euro në para të gatshme nga xhirollogaria e “MB Consulting”, ku të gjitha të hyrat, sipas këtij televizioni, kanë ardhur nga filiali i GEN-it në Serbi.

— Dragash Info

Original Facebook objava