Berisha pranon marrjen e mbi 1 milion eurove nga BKS-ja: Propozon kthimin në këste Valon Berisha, ish-drejtor i Finan…
Berisha pranon marrjen e mbi 1 milion eurove nga BKS-ja: Propozon kthimin në këste
Valon Berisha, ish-drejtor i Financave dhe Kontabilitetit në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ka pranuar se ka marrë mbi një milion euro nga BKS-ja dhe ka propozuar që t’i kthejë shumat në këste. Kjo deklaratë është bërë në mars të vitit paraprak përmes avokatit të tij, Fanol Krasniqi, sipas informacionit të siguruar nga gazeta Insajderi.
Berisha propozon që kësti i parë të jetë 100 mijë euro, ndërsa thekson gatishmërinë për të arritur një marrëveshje sa më të favorshme për palët:
“Byrosë i propozojmë që të ndërmarrë veprimet për përllogaritjen e dëmit, në mënyrë që të mundësohet arritja e një marrëveshjeje sa më të favorshme. Për të garantuar përmbushjen e detyrimit, kërkojmë shqyrtimin e mundësisë për pagesën e shumës në disa këste, ku kësti i parë të jetë deri në njëqindmijë euro”, thuhet në deklaratën e Berishës.
Ai merr përgjegjësinë ekskluzive për veprimet e ndërmarra gjatë kohës sa ka qenë në BKS, duke theksuar se punonjësit tjerë të Byrosë nuk kanë pasur qasje apo ndikim në vendimmarrjet financiare.
Berisha është arrestuar së bashku me Sami Mazrekun, ish-drejtorin e BKS-së, gjatë një operacioni të madh të Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Ai dyshohet se ka pasur rol kyç në menaxhimin dhe realizimin e pagesave të dyshimta përmes xhirollogarive të BKS-së, të cilat arrijnë mbi 1 milion euro.
Sipas Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, aksioni përfshiu rreth 40 persona të dyshuar në të gjithë Kosovën:
“Aksioni është i gjerë dhe përfshin të dyshuar në të gjithë vendin. Target janë më shumë se 40 persona”, tha Kryeziu.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa organet kompetente po punojnë për të përcaktuar të gjitha detajet dhe përfituesit e mundshëm të pagesave të paautorizuara.
— Dragash Info