Botë

BBC: “Partia nacionaliste shqiptare korri fitore dërrmuese në zgjedhjet e Kosovës” Media prestigjioze britanike BBC i…

29.12.2025. 4 min čitanja

BBC: “Partia nacionaliste shqiptare korri fitore dërrmuese në zgjedhjet e Kosovës”

Media prestigjioze britanike BBC i ka kushtuar një analizë të gjerë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë, duke theksuar fitoren bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të udhëhequr nga Albin Kurti.

Sipas BBC-së, “partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka korrur një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të Kosovës”, bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Rezultatet sipas BBC

BBC raporton se dy partitë kryesore opozitare kanë mbetur dukshëm prapa Vetëvendosjes. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e përshkruar si parti e qendrës së djathtë, ka marrë 20,98%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur e treta me 13,89% të votave.

Në analizën e saj, BBC rikujton se Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e shkurtit, por pa arritur të siguronte shumicë parlamentare, çka e la Kosovën për muaj të tërë pa një qeveri funksionale.

Pyetja kryesore e zgjedhjeve

Sipas BBC-së, bllokimi institucional e shndërroi këtë proces zgjedhor në një test politik me një pyetje kyçe:

“A do ta ndëshkonin votuesit Albin Kurtin për muajt e gjatë të bllokimit në Kuvend, apo partitë opozitare që refuzuan të mbështesnin një koalicion me lëvizjen e tij të majtë?”
BBC vlerëson se elektorati dha një përgjigje të qartë, duke i dhënë sërish mbështetje të fuqishme Vetëvendosjes.

Qeverisja dhe koalicionet

Megjithëse kjo fitore mund të mos i sigurojë Kurtit qeverisje të vetme, BBC thekson se ai nuk pritet ta ketë të vështirë të sigurojë mbështetje nga partitë e pakicave etnike, të cilave u garantohen 20 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Kjo shënon fitoren e katërt radhazi të Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare, sipas raportimit të BBC-së.

Deklaratat pas zgjedhjeve

Albin Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si “fitoren më të madhe në historinë e vendit”, duke shprehur pritjen që partitë opozitare këtë herë të bashkëpunojnë dhe jo të bllokojnë institucionet.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka sinjalizuar një qasje më reflektuese:

“Kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet. Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Sfidat që e presin qeverinë e re

BBC vë në pah se Kosova ka humbur qindra miliona euro fonde të Bashkimit Evropian për shkak të mungesës së një qeverie funksionale. Kurti ka përmendur gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, të cilat mund ta çojnë shumën e investimeve mbi 1 miliard euro.

Një tjetër sfidë e madhe, sipas BBC-së, është riparimi i marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-në. Media britanike kujton se Kurti ka zemëruar Brukselin dhe Uashingtonin përmes veprimeve ndaj institucioneve që shërbejnë për pakicën serbe në Kosovë, gjë që ka rritur tensionet në veri të vendit.

Dialogu me Serbinë

BBC thekson se, ndonëse BE-ja ka rënë dakord të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, ajo pret një qasje më pragmatike nga Kurti në dialogun me Serbinë.

Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, BBC shpreh skepticizëm për përparim të shpejtë në këtë proces.

Vlerësimet analitike

Sipas BBC-së, mbështetja e fortë për një figurë kaq polarizuese si Kurti pasqyron mungesën e alternativave bindëse. Partitë e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që dominuan qeverisjen pas vitit 2008, sipas medias britanike, nuk arritën të përmbushnin premtimet për prosperitet.

Analisti Artan Muhaxhiri ka theksuar shkeljet kushtetuese, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe prishjen e marrëdhënieve me aleatët gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, por ka përfunduar se:

“Pavarësisht të gjitha mangësive, qytetarët e kanë konsideruar opozitën si më të dëmshme.”

Original Facebook objava