Botë

Bashkësia Islame e Kosovës mbështet marshin protestues “Liria ka emër” Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK),…

10.02.2026. 2 min čitanja

Bashkësia Islame e Kosovës mbështet marshin protestues “Liria ka emër”

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në mbledhjen e saj të sotme të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, ka vendosur të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është planifikuar të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Ky marsh synon të shprehë mbështetje për çlirimtarët që, sipas BIK-ut, po mbahen padrejtësisht dhe po përballen me tentativa dënimi në Hagë.

Në deklaratën e saj, Kryesia e BIK-ut gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, me qëllim të goditjes së vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e vendit tonë,” thuhet në njoftim. Kryesia e BIK-ut e cilëson të papranueshme përpjekjen për të relativizuar krimet serbe dhe për të krijuar një baraspeshë të rreme përmes gjyqeve politike.

Gjithashtu, Kryesia ka vendosur që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet Ditës së Pavarësisë dhe mesazhit mbështetës për luftëtarët e lirisë.

BIK-u mbështet po ashtu deklaratën e Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara për dënim të çlirimtarëve dhe shpreh shpresën se drejtësia do të triumfojë.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në marshin protestues më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë,” përfundon deklarata.

— Dragash Info

Original Facebook objava