Banorët e fshatit Buçe ankohen për vështirësi në qarkullim pas reshjeve të borës Banorët e fshatit Buçe, në komunën e…
Banorët e fshatit Buçe ankohen për vështirësi në qarkullim pas reshjeve të borës
Banorët e fshatit Buçe, në komunën e Dragash, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vështirësitë e mëdha në qarkullimin rrugor pas reshjeve të fundit të borës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të fshatit në rrjetin social Facebook, banorët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga Komuna e Dragashit, duke theksuar se situata aktuale po rrezikon seriozisht sigurinë dhe lëvizjen e tyre të përditshme.
“Presim veprim konkret menjëherë, jo premtime apo arsyetime. Çdo vonesë është përgjegjësi direkte e institucionit përkatës. Siguria e banorëve të Buçes është detyrim, jo opsion. Kjo është paaftësi dhe mospërgjegjësi. Fshat i braktisur, i errët pa drita”, thuhet në reagimin e banorëve.
Sipas tyre, mungesa e pastrimit të rrugëve nga bora dhe problemet me ndriçimin publik e kanë vështirësuar edhe më tej jetën e përditshme në fshat, duke krijuar ndjenjën e izolimit dhe neglizhencës institucionale.
Banorët e Buçes apelojnë që autoritetet komunale të reagojnë sa më shpejt, duke ndërmarrë masa konkrete për pastrimin e rrugëve dhe përmirësimin e kushteve bazë të jetesës, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.
© Dragash Info



