Avokati i Popullit paralajmëron Trendafilovën: Specialja po përdor prova të dyshimta nga Serbia Avokati i Popullit i…
Avokati i Popullit paralajmëron Trendafilovën: Specialja po përdor prova të dyshimta nga Serbia
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përdorimin e provave në proceset gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një letër drejtuar Kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, Qelaj paralajmëron se dokumente të dyshimta, që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe pas vitit 1999 – periudhë kur Serbia nuk kishte juridiksion të ligjshëm në Kosovë – po përdoren si prova, së bashku me libra dhe botime me kredibilitet të ulët. Kjo praktikë, sipas Avokatit të Popullit, ngre dyshime për ligjshmërinë dhe besueshmërinë e procedurave gjyqësore.
Qelaj gjithashtu ka evidentuar kufizime të komunikimit, vizita familjare dhe monitorim të vazhdueshëm gjatë paraburgimit, të cilat mund të cenojnë të drejtat themelore të të akuzuarve.
Ai thekson se procedurat para Speciales nuk i përmbushin standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe krijojnë perceptim të mungesës së barazisë para ligjit, duke vënë në dukje se të gjithë të akuzuarit janë nga e njëjta përkatësi etnike.
Avokati i Popullit shpreh shqetësim edhe për refuzimin e shumicës së kërkesave procedurale dhe provuese të mbrojtjes, praktikë kjo që rrezikon besueshmërinë e gjykimeve dhe parimin e gjykimit të drejtë. Ai vlerëson gjithashtu se paraburgimi i zgjatur dhe uniform i të gjithë të akuzuarve është problematik dhe nuk mbështetet në rrethanat faktike.
Në përfundim, Qelaj thekson se kjo letër është një nismë monitoruese për të mbrojtur të drejtat themelore dhe për të garantuar një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Ndryshe, procesi gjyqësor në Speciale po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët janë arrestuar në vitin 2020 dhe vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, duke deklaruar pafajësinë e tyre.
— Dragash Info