Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se do…
Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se do të kërkojë besimin e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të udhëhequr këtë parti, pas dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku si pasojë e rezultatit të fundit zgjedhor.
Në një deklaratë drejtuar anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, Hoti ka bërë të ditur se kandidatura e tij do të formalizohet në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së që pritet të mbahet më 31 janar 2026.
Ai ka shprehur falënderim për drejtimin e deritanishëm të partisë, duke vlerësuar kontributin e kryetarit Abdixhiku, Kryesisë, degëve, nëndegëve, si dhe Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë në pesë vitet e fundit. Një mirënjohje e veçantë, sipas Hotit, u takon anëtarëve besnikë të LDK-së, të cilët ai i cilëson si shtyllë të qëndrueshmërisë së partisë.
Hoti ka theksuar se synon një proces gjithëpërfshirës dhe transparent për ringritjen politike dhe organizative të LDK-së, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar rol aktiv për çdo anëtar dhe strukturë.
“Askush nuk do të mbetet në margjina. Do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim”, ka deklaruar ai, duke vënë theks të veçantë në fuqizimin e profesionistëve, grave dhe të rinjve.
Në fund të deklaratës së tij, Hoti ka bërë thirrje për bashkim, maturi dhe guxim politik, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të vlerave themeltare të LDK-së, përfshirë demokracinë e brendshme dhe orientimin e palëkundur euro-atlantik.
“Vetëm me unitet dhe vizion të qartë, LDK-ja mund të rikthehet si forca kryesore politike në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Hoti.
— Dragash Info