Avdullah Hoti: LDK-ja ka nevojë të rikthejë besimin e anëtarësisë dhe qytetarëve Deputeti i Lidhjes Demokratike të Ko…
Avdullah Hoti: LDK-ja ka nevojë të rikthejë besimin e anëtarësisë dhe qytetarëve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas rezultatit zgjedhor, duke theksuar se LDK-ja ka nevojë për unitet të brendshëm dhe rikthim të besimit të anëtarësisë dhe qytetarëve në këtë parti, të cilën e ka cilësuar si domosdoshmëri për demokracinë e vendit.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe anëtarëve të LDK-së, Hoti ka falënderuar për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj partisë, duke vlerësuar se rezultati i arritur nuk e pasqyron potencialin real të saj.
“Ky rezultat nuk e zbeh aspak vlerën e angazhimit, sakrificës dhe punës së jashtëzakonshme që është bërë nga çdo anëtar i LDK-së në gjithë Kosovën,” ka deklaruar Hoti.
Ai ka shprehur mirënjohje për strukturat drejtuese të partisë, duke përmendur kryetarin Lumir Abdixhiku, kryesinë, degët dhe nëndegët, ndërsa falënderim të veçantë u ka adresuar anëtarëve besnikë që, sipas tij, e mbajnë LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese.
Hoti ka falënderuar edhe qytetarët që i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se rritja e mbështetjes krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025 është obligim për angazhim më të madh në ringritjen e partisë.
Sipas tij, ky besim dëshmon kërkesën e elektoratit për forcim të vlerave themeltare të LDK-së, si demokracia e brendshme, guximi politik, vizioni shtetformues dhe orientimi i palëkundur euro-atlantik.
“LDK-ja ka nevojë për unitet të brendshëm, por edhe për ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj. Kthimi i besimit të anëtarësisë dhe qytetarëve është thelbësor për rolin që kjo parti ka në demokracinë e Republikës së Kosovës,” ka theksuar Hoti.
Në fund, ai është shprehur i bindur se një LDK e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion do të dijë të ringrihet dhe t’i shërbejë vendit në proceset demokratike, shtetformuese dhe integruese euro-atlantike.
— Dragash Info