Autoblinda ushtarake shqiptare “SHOTA” do të prodhohet edhe në Kosovë 🇦🇱🇽🇰 Përveç prodhimit në Shqipëri, autoblinda u…
Autoblinda ushtarake shqiptare “SHOTA” do të prodhohet edhe në Kosovë 🇦🇱🇽🇰
Përveç prodhimit në Shqipëri, autoblinda ushtarake e dizajnuar nga industria shqiptare, “SHOTA”, do të prodhohet tashmë edhe në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes.
Sipas Ministrisë në detyrë të Mbrojtjes, kjo pajisje moderne ushtarake do t’i shtohet stokut të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas dakordimit të arritur mes ministrave të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu.
Lajmi është konfirmuar për mediumin Tëvë1 nga zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, e cila theksoi se prodhimi në Kosovë është pjesë e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes të arritur përmes marrëveshjes trepalëshe Kosovë–Shqipëri–Kroaci, të nënshkruar në mars të vitit 2025.
“Aktualisht jemi në fazën e përgatitjeve logjistike për implementimin e marrëveshjes, por dakordimi për fillimin e prodhimit edhe në Kosovë është një lajm shumë i rëndësishëm”, ka deklaruar ajo.
Marrëveshja është vlerësuar pozitivisht edhe nga ish-deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë, si shtet anëtar i NATO-s, për avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe përgatitjen e saj drejt anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike.
Ndërkohë, eksperti i sigurisë Fatjon Softa nënvizoi se ky bashkëpunim kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal dhe në parandalimin e çdo tentative destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Karakteristikat e autoblindës “SHOTA”
Autoblinda ushtarake “SHOTA” është e projektuar si mjet MRAP (Mine Resistant Ambush Protected) dhe përfshin:
Kapacitet transporti: 2 anëtarë ekuipazhi + deri në 8 ushtarë
Blindim balistik BR7, rezistent ndaj municioneve 7.62 mm
Mbrojtje ndaj shpërthimeve deri në 6 kg TNT nën mjet
Ulëse anti-shpërthim, xhama balistikë dhe sistem modern sigurie
Performancë e lartë në terrene të vështira
Fillimi i prodhimit të autoblindës “SHOTA” në Kosovë konsiderohet një zhvillim strategjik për sigurinë kombëtare dhe një hap domethënës drejt ndërtimit të kapaciteteve vendore në industrinë e mbrojtjes.
— Dragash Info


